E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar arriti në 25 miliardë euro, e gjetëm 9.6 miliardë euro

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se kur qeveria socialiste mori detyrën Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar ishte 9.6 miliardë euro ndërsa viti 2024 u mbyll me thuajse 25 miliardë euro.

Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi sipas së cilit Shqipëria është njësoj e varfër.

“Si mund të jetë njësoj e varfër nëse kur ne morëm detyrën Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, gjithçka që mund të futet në vlerë që prodhon një vend, ishte 9.6 miliardë euro”, tha Rama.

Ndërkohë viti 2024, sipas kryeministrit, “u mbyll me thuajse 25 miliardë euro”.

“Si është më e varfër Shqipëria kur ka shumë më tepër mundësi të paguajë paga shumë më të larta se deri dje. Edhe më të larta do të jenë pagat vit pas viti pasi ekonomia nuk është ajo që ishte por është futur në një cikël rritjeje të qëndrueshme. Kështu duket kur nuk do ta shohësh, se nuk ka më të verbër se sa ai që ka sytë por nuk do të shohë”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe një tjetër komentuesi i cili u shpreh se nuk kanë çfarë na duhen miliardat e Europës.

“Mendoj se nëse nuk do të ishin miliardat e Europës dhe botës në këto 30 vite dhe kur them këtë kam parasysh gjithë ato shuma të marramendëse, kredi të zbutura e me mbështetje të gjithanshme si një vend i hapur që i referohet organizmave ndërkombëtarë, sigurisht që shumë e shumë gjëra nuk do të ishin bërë dot”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›