E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shumica dërrmuese me 24 orë ujë të pijshëm, financime kolosale

TIRANË, 10 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se shumica dërrmuese në Shqipëri sot kanë ujë të pijshëm 24 orë, ndërsa solli në vëmendje edhe financimet kolosale që janë bërë në këtë sektor.

Në një komunikim live me qytetarët në rrjetet sociale, përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili u shpreh se Shqipëria akoma nuk ka ujë 24 orë ndërsa pretendon anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2030.

Rama sqaroi se kur qeverisja socialiste mori detyrën kishte ujë 24 orë vetëm në 4 zona urbane.

“Sot ka ujë 24 orë në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale. Janë 11 kantiere të hapura dhe do të duhet të hapen edhe 5 të tjera gjatë mandatit të katërt dhe e përmbyllim këtë transformim historik. Sepse Shqipëria nuk është problemi se mbeti pa ujë në një moment të caktuar. 24 orë ujë nuk ka pasur kurrë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se është dashur një punë kolosale dhe financime po ashtu kolosale që vazhdojnë edhe sot.

“Disa mund të flasin si të duan duke u nisur nga mllefi, tifozlliku politik, etj, por këto që unë them i dëgjojnë të gjithë. Dhe nëse nuk do të kishte njerëz që kanë 24 orë ujë, dhe janë shumica dërrmuese në Shqipëri që kanë 24 orë ujë sot, atëherë do të revoltoheshin dhe do të mbanin qëndrim dhe ne nuk do të merrnim shumicën siç do ta marrim në 11 maj shumicën absolute përsëri”, u shpreh Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe një tjetër komentuesi mbi portin e Durrësit, ndërsa theksoi se ka marrë falënderime të përzemërta nga kompanitë sepse i kemi lehtësuar shumë proceset.

“Kjo pasi i erdhi koha lehtësimit të proceseve. Nuk kishte ardhur koha për të qenë të sigurt që proceset dhe mund të funksionojnë jo më mbi kontrolle 100% për çdonjërin, por mbi bazë risku”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›