E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rrethimi i pronës në Zvërnec është bërë mbi bazën e lejes së zhvillimit

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se toka në Zvërnec është e regjistruar prej shumë vitesh në hipotekë dhe se negociatat apo transaksionet me pronarët janë çështje që u përkasin palëve.

Duke folur nga kryesia e Kuvendit për projektin që e cilësoi si të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, si edhe për pretendimet e ngritura ditët e fundit, Rama u shpreh se “toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat dhe transaksionet me pronarët janë çështje mes palëve. Janë çështje ku ne as kemi hyrë, as ka qenë nevoja të hyjmë dhe nuk kemi pasur asnjë interes”.

Kryeministri foli edhe për rrethimin e pronës që, siç tha ai, “është bërë mbi bazën e lejes së zhvillimit dhe jo të lejes së ndërtimit”.

“Rrethimi i pronës është bërë bazuar te leja e zhvillimit të pronës, e cila nuk është leje ndërtimi. Por rrethimi i pronës është e drejta e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit”, tha Rama.

Sa i përket pretendimeve për pronësinë, Rama tha se “pretendimet janë legjitimime, por ato zgjidhen në gjykata”.

Kryeministri tha se, “ne jemi të interesuar për Sazanin, por deri më tani negociatat nuk kanë përfunduar, pasi ne duam pjesën e shtetit shqiptar dhe kjo është objekt negocimi”.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›