E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rritje modeste për taksën e gjelbërimit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka deklaruar se taksa e gjelbërimit në kryeqytet do të rritet, por do të jetë modeste. Sipas tij, një nga përparësitë e shprehura nga qytetarët, në anketat e bëra është pastrimi dhe gjelbërimi i qytetit. "Përfitoj nga rasti për t‘ju thënë të gjithë atyre që fajësojnë Bashkinë e Tiranës për rritjen e taksave se ajo çka është rritur është vetëm tarifa e pastrimit dhe ajo e gjelbër dhe është një rritje shumë modeste për të garantuar që ky qytet të jetë qyteti i komuniteteve". Kështu u shpreh Edi Rama teksa përuronte një fushë sporti në bllokun e banimit nr. 22. Dy ditë më parë, deputeti i PD-së, Edi Paloka, bëri publik vendimin më të ri të bashkisë për të rritur taksat. Ai i quajti këto vendime si të padrejta dhe akuzoi Ramën se nga njëra anë ka zënë hapësirat e gjelbra dhe nga ana tjetër u rrit qytetarëve taksën e gjelbërimit. Ndërsa sipas Ramës, rritja e tarifës së pastrimit është një rritje e miratuar dhe e kërkuar nga afro 70% e qytetarëve në të gjitha anketat dhe dëgjesat publike që ka bërë bashkia. Për fushën e re të sportit që përuroi dje Rama u shpreh se "vlera për ndërtimin e këtyre fushave është 10 milionë lekë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›