Të gjitha tabelat, tani në gjuhën shqipe
Shqip tingëllon bukur, por dëgjohet rrallë dhe akoma më rrallë lexohet. Trendi për të emërtuar gjithçka në anglisht apo italisht ka bërë që pak dyqane, lokale, apo institucione private të kenë emërtim shqiptar, siç mund të themi kafe "Flora"... Tashmë gjithkush është mësuar me emrat në gjuhë të huaj të subjekteve private sa do t‘i dukej çudi të kishte sërish një kafe "Flora" apo një hotel "Dajti". Por Kryeministri Berisha e ka rikthyer këtë temë. Ai ka kërkuar dje nga tryeza më e lartë drejtuese në vend, mbledhja e qeverisë, të ndryshojë emërtesa e të gjithë reklamave dhe tabelave. "Gjuha shqipe duhet të prevalojë në të katër anët e vendit. Të gjitha tabelat dhe etiketat duhet të jenë në gjuhën shqipe", kështu u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, Ministria e Arsimit duhet të përgatisë vendimin për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha emërtimet e tabelave dhe etiketave.
"Pas gjuhës shqipe, t‘i vendosin reklamat në gjuhën që dëshirojnë", shtoi kreu i ekzekutivit. Notat e theksuara patriotike të deklaratës së Berishës vijnë pak kohë pas ngjarjes së madhe të popullit shqiptar, shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shteti më i ri i Evropës përbëhet nga popullsi shqiptare dhe pakica serbe. Është e njëjta gjuhë, ajo shqipe që flitet në dy shtetet. Por duhet theksuar se në dukje shqipja është ruajtur më shumë në shtetin e Kosovës. Atje trendi i gjuhës së huaj nuk ka qenë i theksuar, ndaj elementi kombëtar nuk ka nevojë të hyjë me urdhër, pasi vetë popullsia e ka ruajtur. Për sa i përket Shqipërisë, reklamat apo tabelat e shkruara në gjuhë të huaj janë plotësisht të dukshme, aq sa lexuesit nuk i shërbejnë shembujt. Pjesa më e madhe e lokaleve në kryeqytet kanë emërtesa në gjuhë të huaja, herë-herë edhe qytete të mëdha të botës kanë zënë vend në këto aktivitete private. Gjithashtu, edhe mjaft subjekte juridike, të regjistruar në gjykatë si shoqata apo firma private kanë emra të huaj. Në vitin 2008, Kryeministri kërkon ridimensionim të këtyre emërtimeve. "Ne duhet të tregojmë respektin më të madh për këtë gjuhë të mrekullueshme që kemi", u shpreh ai. Dhe kërkoi që kjo të bëhet me vendim, pasi gjithë deklaratat e mëparshme sensibilizuese nuk kanë pasur asnjëlloj efekti ndër qytetarë.
Klasifikim shkollave private
Është shtuar numri i universiteteve private. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha i ka kushtuar sërish vëmendje arsimit, ku ka dhënë hapur mbështetjen e tij për shkollat e larta private, duke miratuar një universitet të ri dhe duke hapur plot 8 fakultete të reja në universitetet private ekzistuese. I vetëdijshëm për kritikat e gazetarëve, intelektualëve dhe politikanëve ndaj këtyre institucioneve arsimore, ai u shpreh se "ka edhe kritika ndaj këtyre universiteteve, por paragjykimi nuk shërben". Ndërsa shtoi se "detyrimi i qeverisë është të kërkojë dhe imponojë standarde ndaj brenda disa muajve do të kontraktohet, me tender të hapur ndërkombëtar, një nga kompanitë më serioze në Evropë, që do t‘i vendosë në vlerësim të pavarur si universitetet private dhe ato publike". Pra do të bëhet klasifikimi i të gjitha universiteteve, private dhe publike në vend nga një kompani e huaj vlerësimi. Kryeministri vlerësoi se klasifikimi i tyre do ta bëjë procesin transparent dhe do të qartësojë qytetarët shqiptarë. "Në këtë mënyrë, do ta bëjmë procesin transparent dhe do të qartësojmë qytetarët shqiptarë në lidhje me klasifikimin e tyre, duke u bërë të qartë se ky universitet nuk mund të funksionojë dhe prandaj futet në ‘listën e zezë‘. E njëjta gjë edhe për degët publike, të cilat, në rast se vlerësohet se nuk mund të funksionojnë, do të futen në ‘listën e zezë‘.
Shkolla profesionale private,
lehtësira për t‘i hapur
Krahas arsimit të lartë, Kryeministri u shpreh pro sektorit privat në arsimin e mesëm profesional. Sipas tij, qeveria do të shohë mundësitë e një kuadri lehtësues financiar në këtë drejtim. "Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të zgjuar interesin e sektorit privat për arsimin e mesëm profesional. Përpjekjet janë të vyera dhe efikase, kur ato shoqërohen me masa e stimuj konkretë, me lehtësira fiskale dhe ndarje të buxhetit në partneritet publik privat. Qeveria i ka këto përpjekje, para së gjithash, financiare, prandaj duhet të shohim një kuadër lehtësues financiar për shkollat e mesme profesionale dhe mundësitë e ndarjes së ngarkesës financiare, si dhe çdo stimul tjetër," u shpreh Kryeministri, duke kërkuar nga Ministria e Financave të shqyrtojë mundësitë e një qëndrimi të diferencuar ndaj investimeve private në arsim dhe shëndetësi.