Laboratorë të rinj shkencorë tek Inxhinieria
Afro 2 milionë euro janë investuar për blerjen e laboratorëve modernë shkencorë të universiteteve. Në përurimin e tyre mori pjesë dje ministri i Arsimit, Genc Pollo. Gjatë ceremonisë te Politekniku që ishte universiteti që fitoi me më shumë projekte ai u shpreh se "laboratori i ri do t‘i shërbejë cilësisë në mësimdhënie, do t‘i shërbejë kërkimit shkencor të aplikuar, por edhe ekonomisë dhe biznesit, sepse do ofrojë shërbime për palë të treta". Ky është vetëm një prej laboratorëve, është një projekt i realizuar edhe në sajë të kredisë së nga Banka Botërore dhe nga dy banka të tjera. Vitin e kaluar në kuadër të projektit UNILAB 2007 kanë përfituar Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor. Më së shumti, edhe për shkak të natyrës së tij dhe projekteve, ka përfituar Universiteti Politeknik një numër të lartë laboratorësh, blerja e të cilëve u realizua vitin e kaluar. Sipas Pollos, baza teknike e universiteteve tona është më së shumti e periudhës sovjeto-kineze dhe një investim i tillë nuk është bërë prej dekadash. Është hera e parë që po kryhet një investim i tillë në 18 vitet e fundit. Investimi që u përurua dje është bërë për Fakultetin e Tekstileve.