Rama ndan pamje nga takimi me liderët pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Samiti i VI i Komunitetit Politik Europian nisi sot punimet në Tiranë nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore europiane dhe ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, i cili është edhe mikpritësi i këtij samiti, ndau në rrjetet sociale pamje nga takimet që pati me liderët pjesëmarrës të Komunitetit Politik Europian.
Kryeministri mirëpriti me takime mirëseardhjeje të gjithë liderët e ftuar në samit, me të cilët pati edhe një foto familjare.
“Liderët pjesëmarrës në Samitin VI të Komunitetit Politik Europian”, shkruan Rama, teksa ka ndarë edhe pamje nga takimi me secilin prej tyre.
Fjalën hapëse të samitit e mbajti kreu i qeverisë Edi Rama, i cili propozoi “një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit”, ide kjo që u mbështet edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Rama zhvilloi gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte e më pas me kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez; presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen; princin sovran të Monakos, Albert II; me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker.
/r.e/a.f/