E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ramai i drejtohet Dredhës: Në vend që të financosh një televizion privat, çoji paratë te topografët

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Kadastra e Vlorës është simboli më kuptimplotë i pisllëkut dhe korrupsionit në histori”.

Në takimin me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” në BE, Rama tha se “në Kadastrën e Vlorës nuk është ndërruar një, janë ndërruar njëmbëdhjetë drejtorë, mbasi u ezauruan gjithë burimet e krahut që juve e morët si referencë, tani kemi kaluar në krahun tjetër, të marrim burime, të shohim mos bëjmë ndonjë ndryshim”.

Por, vijoi Rama, përtej kësaj, të vihen njerëz jashtë profilit për të bërë këtë punë është e papranueshme.

“Aty duhet të jenë njerëzit që kanë atë profil. Kjo historia: është financier, por ka eksperiencë, është blegtor po ka eksperiencë në muzikë dhe e morëm për drejtues të orkestrës së qytetit, nuk shkon. Blegtori të bëjë blegtorin, financieri të bëjë financierin, topografi të bëjë topografin”, nënvizoi Rama.

Duke iu drejtuar kryebashkiakut Dredha, Rama tha se “në vend të financosh një televizion privat me taksapaguesit vlonjatë, merr e paguaj topografë, silli nga Tirana në Vlorë, paguaji me ato lekë. Kjo është një çoroditje e pakuptueshme”.

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›