Prokurorja Gjeli i drejtohet KLP-së: Të mbrohet figura dhe pavarësia e magjistratëve

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, emri i së cilës u përmend pak ditë më parë nga kreu i qeverisë Edi Rama pasi nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit, i është drejtuar me një letër Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku kërkon reagim publik për mbrojtjen e figurës dhe pavarësisë së magjistratëve.
Nëpërmjet një letre, Gjeli shprehet se është e gatshme të përgjigjet para çdo institucioni për akuzat ndaj saj dhe kërkon nga KLP që të analizojë situatën në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe ndarjes së pushteteve.
Ajo kërkon gjithashtu që KLP të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së prokurorëve nga sulmet politike.
Në kërkesën e saj drejtuar KLP-së, Gjeli kërkon që “të ndërmerren hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura”.
“Jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli, në letrën drejtuar KLP-së.
/m.q//a.f//r.e/