Mjekët kapen duke marrë ryshfet
Një operacion sot në spitalet shqiptare kushton jo më pak se 15000 lekë të reja. Këtë pagesë të afërmit e pacientit e bëjnë në dorë. Pagesat fillojnë përpara se pacienti të futet në sallën e operimit. Të afërmit duhet të vrapojnë nëpër farmacitë rreth e rrotull spitalit që të gjejnë shampo betadinë, sepse spitali nuk ka. Pasi ia dorëzon betadinën infermieres, pacienti futet në sallën e operimit dhe është gati për të vazhduar me veprimet e tjera për ndërhyrjen kirurgjikale. Sapo mbaron operacioni dhe infermierët të komunikojnë se doli me sukses, fillon ndarja e lekëve.
Lekët nuk jepen nëpër korridore ku mund të të shikojnë të gjithë, por në një dhomë që ndodhet para sallës së operacionit. Infermierja të hap derën dhe të numëron detyrimet që ke.
I gjithë stafi mjekësor që ka qenë prezent në sallën e operacionit dhe i ka shërbyer pacientit duhet të shpërblehet. Pagesat fillojnë nga 1000 apo 2000 lekë çdo infermier, 5000 lekë kryeinfermierja, 10000 lekë anestezisti dhe 25 000 - 30 000 mjeku që ka kryer operacionin.
"Fiks Fare" ndoqi me kamera pikërisht këto biseda. Familjarët e një pacienti që operohej te spitali nr. 5 në QSUT, "Nënë Tereza", menjëherë sapo ka përfunduar operacioni që ka zgjatur disa orë kanë paguar të gjithë stafin që kishte qenë në sallën e operimit.
Kur pyesim infermierët dhe mjekët se sa duhet t‘i paguajnë, të gjithë thonë sa të kenë dëshirë dhe mundësi, ndërsa nga ana tjetër u kujtojnë se tashmë tarifat dihen.
Anestezisti ua lë në dëshirë, por pagesa e tij duhet të jetë diku midis 5000 dhe 10000 lekëve.
Infermieret marrin nga 1000 lekë secila, ndërsa për kryeinfermieren familjarët paguajnë 500 lekë. Ajo nuk e merr vetë këtë pagesë dhe as nuk e kërkon, por infermieret e sallës i marrin këto para për t‘ia çuar asaj.
Për sa i përket mjekut që ka kryer operimin një nga infermieret u rekomandon që t‘i japin 25 000 - 30 000 lekë
Të gjitha bisedat e regjistruara janë denoncuar dje në emisionin "Fiks Fare".
Biseda me kryeinfermieren e sallës së operacionit, përpara se pacienti të futet në operim
Kryeinfermierja u kërkon familjarëve që të blejnë në farmacitë rrotull spitalit shampoo betadinë
Fiksi - Shampo betadinë do marrim dhe çfarë tjetër?
Kryeinfermierja - Edhe big (brisk) sepse aty ku ndoshta do të merret transplanti, nuk e di si ua ka shpjeguar doktori...
Fiksi - Këmbët janë pastruar.
Kryeinfermierja -Komplet? Në rregull atëherë nuk ka nevojë për big, merrni vetëm shampo betadinë.
Fiksi - Ku merret kjo?
Kryeinfermierja - Në çdo vend, në çdo farmaci nuk e di a kanë të gjitha por merri me radhë nga këtu.
Betadinë ka spitali, por kjo është, thashë një solucion larës me më shumë dizifektant brenda.
(Mbas operacionit)
Infermierja - Mund t‘ju sqarojmë pak, nëse mundeni?
Fiksi - Po.
Infermierja - Të shkuara, mbaroi, shkoi mirë, doktori tha: del shumë shpejt, sa të plotësojë kartelën dhe këto në kompjuter. Ka shkuar mirë pa problem. Të shkuara, do t‘ju japim dhe rrobat.
Ne jemi personeli infermierë, të shkuara.
Fiksi - Ndonjë gjë për juve?
Infermierja - Po ke mundësi, po ke dëshirë.
Fiksi - Nervi u mor në këmbë?
Infermierja - Po. Ne segmente që jepet në mikroskop me fije të holla, me fizioterapi që do të rekomandojë doktori më vonë dhe me ushtrime vetë me vullnetin e tij domethënë. Pritet përmirësimi. Ka qenë i dukshëm në shumë pacient të tjerë nga eksperiencat që kam pasur deri tani. Shpresojmë që të ketë përmirësim.
Fiksi - Tani ne nuk dimë se si të veprojmë se si t‘ia bëjmë
Infermierja - Tani pak a shumë ju duhet ta keni menduar, vepruar apo ku di unë
Fiksi - Ne nuk e dimë p.sh...
Infermierja - Këto janë muhabete që nuk mund t‘i bëjmë tani, në këtë moment.
Fiksi - Jo jo ne nuk dimë se sa, si...?
Infermierja - Tani atë as unë nuk ta them dot.
Fiksi - A e di përse? Sepse edhe ne duam që ju të ngeleni të kënaqur, sepse ne do vijmë përsëri pas një muaji këtu.
Infermierja - Atë nuk ta thotë njeri as unë, as anestezisti, as kirurgu. Ju si ta mendoni, ne themi faleminderit. Shiko harroje, gjë konkrete nuk të thotë njeri as unë as tjetri. Nuk e di. Shiko nuk është momenti që të...
Fiksi - Ok flasim më vonë, mund të flasim edhe më vonë ne!
Anestezisti - Po se unë nuk dal dot më andej. Të kaluara, shkoi mirë, pa ndonjë siklet. Ato të ftohmet mirë që i kishim shtyrë se pati një çikë kështu, por jo probleme që të na shqetësojnë.
Fiksi 2 - Tani sa është... tani varet... se nuk ja di të them të drejtën asnjë gjë nuk di.
Fiksi 1 - Ne është rasti i parë që na bie
Anestezisti- Ke shumë të drejtë, unë të kuptoj shumë mirë. Unë... këtu është pazar shteti, nuk ka pazar si atje te puna jote. Pazari... shëndeti nuk ka asnjë çmim.
Operacion 5-6 orësh që lodhesh, kaq po të them. Nuk di çfarë të të them tjetër. Dëgjo ti ke qenë në Spital Ushtarak?
Anestezisti- Atëherë që të të them unë një mesatare, po të them 50-100 një mesatare? Tani ti mendoje si të duash. Meqë këmbëngule kaq shumë.
Fiksi -Për juve?
Anestezisti- Mirë mirë, më vjen keq. Unë të thashë një mesatare.
Fiksi 2 - Je dakord? Në rregull. Nuk dua që...
Anestezisti - Më vjen keq unë s‘po të them. ..........................................................
Fiksi 1 - Këtu keni edhe 50.
Fiksi 1 - Dëgjo tani. Ne e rregulluam me atë të narkozës, po këtyre të tjerëve sa t‘u japim, sepse nuk e kemi idenë fare-fare.
Po asaj... si e kishte emrin ajo..?
Infermierja - Të thonë vetë moj ç‘ja fut kot edhe ti, s‘është problem. Pyete.
Fiksi - Ne i thamë dhe nuk na thanë gjë, kishte turp.
Infermierja - Kush kishte turp? Jo more jo po shko pyete.
Infermierja - E sa i dhatë atij të narkozës?
Fiksi - Po ai na kërkoi 5000 lekë.
Infermierja - T‘i kërkoi, të tha vetë 5000 lekë?
Fiksi - Tha nga 5000 - 10000 lekë. Ne 5000 lekë i dhamë sepse...
Infermierja - Ridvanin shikoje 2,3,4 herë (2,3,4 pesëdhjetëshe.) Si të të vijë për mbarë.
Fiksi - Si 2,3,4 herë?
Infermierja - Ja e mori vesh ky...
Fiksi - Hajde se do flasim bashkë.
Infermierja - Po aq edhe atij.
Fiksi - Ooo!
Infermierja - Ëhëë.
Doktori anestezist ka gjetur një kartëmonedhë të grisur mes tufës së lekëve që i kanë dhënë familjarët e pacientit dhe ua kthen. Familjarët i kërkojnë ndjesë dhe ia zëvendësojnë kartëmonedhën me një të re
Doktori anestezist - Në kasap e keni marrë këtë?
Mua më gjetët? Nuk jua merr njeri?
Fiksi - Më fal, më fal.
Doktori - Mos e vrit mendjen
Infermierja - Është turp, është turp për aq. 1 000 lekë i dhatë?
Fiksi - Jo aq jo, kishte dhe të tjera, por mes të tjerave ishte dhe ajo.
Infermierja - Aha thashë se...
Thashë se u ndje i ofenduar dhe jua dha.
Fiksi - Jo,jo sa na tha i dhamë, nuk është se...
Kjo paska qëlluar e grisur.
T‘i japim një tjetër.
Fiksi - Sa ju detyrohemi juve, sa doni?
Infermierja - Detyrim thashë, ke 5 infermiere dhe kryeinfermierja tani vendoseni vetë.
Fiksi - Unë nuk e di.
Infermierja - Sa të kesh mor vëlla, çfarë të të them unë tani.
Fiksi - Ne e pyetëm zotërinë dhe tha kaq. Ne ja dhamë, ku e dimë ne se sa doni ju.
Infermierja - Ne nuk mund të themi shifër. Ne po të themi që jemi 5 infermiere dhe kryeinfermierja, tani ti e di sa e ke mundësinë dhe dëshirën.
Fiksi -Dëshira ime është tjetër gjë, puna jote është tjetër gjë.
Fiksi - Çojmë atë lart(të sëmurin) t‘i japim dhe doktorit këtë dhe flasim prapë.
Infermierja - Po neve do ikim, na ka mbaruar orari të them të drejtën.
Fiksi - Po si t‘ia bëjmë tani?
Infermierja - Ne nuk mund të themi dot ti sa të kesh dëshirë.
Na pyet se sa jemi dhe të themi që jemi 5 infermiere dhe ajo që është shefja.
Ne kemi bërë goxha punë, kemi bërë tani çfarë të themi ne.
Ju e keni llogaritur kohën se sa kemi ndenjur neve
Fiksi - Po, po.
Se dimë mos...
Infermierja - Sa e ke menduar ti, sa?
Fiksi - Unë tani p.sh sa e kam takatin...
Infermierja - Sa pra sa?
Fiksi - Ndoshta nuk jeni të kënaqura...
Infermierja- Sa pra sa, ta themi ne që jemi apo nuk jemi.
Të themi një të mesme p.sh. nga një pesëdhjetëshe(50000) të paktën për kokë juve, sa?
Infermierja - O mirë faleminderit.
Fiksi - Na thoni më shumë apo më pak?
Infermierja - Po mirë aq sa the, jepi tani për të gjitha.
Fiksi - Iku ai doktori, anestezisti?
Infermierja - Jo mos ki merak këtu e ke. Vetëm të duash ta takosh.
I ka qëlluar false, po ju s‘keni faj?
Fiksi - Jo, jo false, i ka qëlluar e grisur.
Infermierja - Puna është mos bëhet me dashje, se pa dashje.
Fiksi - Absolutisht.
Infermierja - Pa dashje qëllon.
Fiksi -Sa u bënë këtu, 1,2,3,4....Je në rregull?
Infermierja - Po faleminderit.
Doktor....
Infermierja - Do kishit po deshët ndonjë gjë për kryeinfermieren, për atë zonjën që doli.
Sepse ajo e bën të gjithë organizimin e punës dhe e meriton diçka.
Fiksi -Po, sa?
Infermierja - Të paktën sa neve. N.q.s keni ose më pak, si ta kesh ti mundësinë. Kaq i japin të tjerët sa na dhe edhe neve.
Fiksi - O doktor? Na fal, na ka shpëtuar, nuk e kemi bërë me dashje.
Doktori - Nuk thashë gjë unë.
Nuk është problem e di ai, nuk është as e para as e fundit. Mua ma kanë futur në xhep pa e ditur fare.
Fiksi - Këtu i tërhoqa në sy tuaj.
Doktori - Më vjen keq nuk thashë asgjë.
Infermierja - Kjo është (kjo që doli është kryeinfermierja).
Infermierja - Futi në xhep ato se do të vij bashkë me të tjerat ajo, mos të duket tani se çfarë po bëjmë.
Në sekondë, sepse duan të të falënderojnë.
Kryeinfermierja - Çfarë po bëni që po i komplikoni kaq shumë gjërat, dilni, ikni vetëm na lini rehat se kemi shumë punë.
Infermierja - Duan të të falënderojmë.
Kryeinfermierja - Mos u sikletosni kaq shumë, n.q.s keni ndërmend me dhënë jepni nëse jo...
Fiksi - Juve, se me këto rregullohemi ne.
Kryeinfermierja - Nuk kam kohë fare.
Infermierja - Ja jap unë(infermierja fut në xhep 5 000 lekë për t‘ia dhënë kryeinfermieres).
Fiksi - Këto janë për..
Infermierja - Shefen, ja jap unë.
Fiksi - Po.