E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilemat e Surroit

Surroi ka lënë pas tij një të kaluar me të cilën përgjithësisht mund të ndihet krenar. Biri i një ambasadori të rëndësishëm të Jugosllavisë, që luftoi për Kosovën republikë, brenda federatës, Vetoni ka qenë gjithnjë aktivist i shquar. Është dukur gjithnjë atje ku duhej! Në 1989, themeloi degën lokale të Iniciativës Demokratike Jugosllave, një organizim politiko-shoqëror që reflektonte fillimin e pluralizmit në Jugosllavinë e kohës, por dhe paqartësitë e tij për të ardhmen. Në vitet 90, themelues i partisë parlamentare bashkë me Rexhep Qosen dhe Adem Demaçin, por e braktisi shpejt, ndoshta për shkak të papërputhshmërive karakteriale apo të vizioneve. Ishte themelues i revistës dhe gazetës "Koha Ditore", dhe përgjithësisht Surroi ka qenë gjithnjë në vijën e parë të zhvillimeve të Kosovës. Me një mbështetje të madhe ndërkombëtare, veçanërisht të SOROS-it, Vetoni sa kohë u angazhua në politikën aktive, ishte gjithnjë bashkëbisedues i privilegjuar i Perëndimit. Kjo nuk ndodhi rastësisht, apo thjesht për shkak të gjuhëve që njihte dhe ligjërimit logjik që përdorte, qasjes pajtuese politike mes palëve kosovare që ndonjëherë kanë qenë shumë larg njëra-tjetrës, veshjeve të veçanta apo snobizmit të tij karakteristik, që theksohej edhe më shumë prej llullës së tij. Surroi ashtu si shumë intelektualë të tjerë të brezit të tij apo të të njëjtit frymëzim, besonte te rëndësia e "sponsorit" ndërkombëtar në pavarësimin e Kosovës. Domethënë, ai vlerësonte rolin e faktorit të brendshëm në këtë objektiv madhor të kombit shqiptar, por ama konsideronte jetik faktorin ndërkombëtar. Bash për këtë arsye ai ishte e vetmja firmë në Rambuje në 1999, ndërsa Thaçit, sot Kryeministër, ju deshën 15 ditë për ta bërë këtë, për shkak të nevojës për t‘u marrë vesh me grupet apo shpirtrat që drejtonin UÇK-në në terren.

Surroi ishte dhe mbeti ambicioz konstruktiv i pushtetit, ndërsa gjithmonë aspironte nivelin më të lartë të tij, Kryeministrin. Minimumi, ministrin e Jashtëm, që mund ta bënte shumë mirë, por ama sot është shumë larg, me këmbë në truall. Një rënie e ëndrrave të tij nga lartësira si këto në tokë, domethënë disfata e fundit politike që e largoi më shumë se kurrë nga pushteti, nuk e ka tutur ndërkaq Surroin. Ai vazhdon të shkruajë, të udhëtojë në Perëndim, ka shtuar sarkazmën në shkrimet e tij veçanërisht kundër ndërkombëtarëve, që nuk mbrojtën ashtu siç pretendojnë mbështetësit e tij, votat e Orës, një lloj kriticizmi që e afron të paktën në ide me një tjetër personazh interesant të Kosovës si Albin Kurti. Dhe Surroi nuk dihet ç‘mendon, posaqë u tërhoq nga çdo dalje publike, intervistat etj.

Cilat janë dilemat e Surroit? A ka hapësirë që ai të kthehet në zgjedhjet e pritshme parlamentare, që me shumë gjasa mund të zhvillohen pak më parë se tre vjetëve normale? Dorëheqja që ai dha në duart e një gruaje që mund të tërhiqet në favor të tij në zgjedhjet e ardhshme, përfaqëson një lloj investimi alla Nano. Mund ta kishte më të vështirë, nëse pasardhësi i tij do të ishte Agim Çeku siç u duk në momentin e parë të dorëheqjes. Ǒdo të bëjë deri në zgjedhjet e ardhshme kurdoqofshin? Do të tërheqë në hije fijet e partisë së vet, duke udhëhequr procesin e rindërtimit të saj, veçanërisht në territor, atje dhe ku humbi? Gjithçka duket e mundshme, por ama shumë më e vështirë se më parë kur ai ishte shpresa thuajse e vetme në listën shumëngjyrëshe politike kosovare. Shkollat perëndimore kanë prodhuar figura të reja politike, të cilat shihen në një dritë të re prej pavarësimit të Kosovës, domethënë prej angazhimit në politikën e një shteti. Ministri i Arsimit, ai i Ekonomisë, zëvendëskryeministri Kuçi, apo dhe të tjerë figura në politikën ekzekutive sadopak e zbusin nostalgjinë ndërkombëtare për 47-vjeçarin Surroi. Rivalët e tij, Thaçi, apo të tjerë kanë ndryshuar shumë për mirë falë shkollës së ndërkombëtarëve, kontakteve intensive me bashkëbisedues të niveleve të larta, aftësisë për të dëgjuar dhe nxënë shpejt, këshilltarëve të mirë dhe konsulentëve gjithashtu. Atij i mbetet në dorë jo thjesht dëshpërimi prekës që ndihet në shkrime, as marazin për ata që e shitën, por një fuqi të madhe mediatike. Që përfaqëson një lloj energjie potenciale. Për t‘ia rinisur prapë në udhët politike të Kosovës së pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›