E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta e tifozëve: Pse s'e duam Devollin bardheblu

Grupimi i tifozëve bardheblu "Tirona Fanatics" ka protestuar, pasi ka mësuar se mesfushori Bledar Devolli është bashkuar me skuadrën e Tiranës dhe po kryen fazën përgatitore me ekipin në Ohër. 

FATJON KODRA

Me anë të një letre publike, grupimi i njohur u është drejtuar drejtuesve të Tiranës, duke shpjeguar arsyet pse Devolli nuk duhet të luajë me fanellën bardheblu. "Ne kuptojmë që jemi në epokën e profesionalizmit, kur lojtarët i ndërrojnë ekipet në bazë të ofertave financiare. Por nuk mund të lejojmë lojtarë që nuk plotësojnë 'standardet' për të veshur fanellën bardheblu. E natyrisht një lojtar si Devolli që evokon periudhën e egër të diktaturës, duke përshëndetur me grushtin komunist (apo me përshëndetje ushtarake), lëshon nëpër media fyerje që tejkalojnë etikën sportive. Dhe më e rëndësishmja, nuk ka respektin që imponon ajo fanellë (këtë e ka treguar kur i hodhi fanellën trajnerit Mema kur luante për Tiranën sezonin 2001-02) sigurisht që nuk mund të konsiderohet i denjë për të qenë bardheblu", shkruhet në letrën publike të 'Tirona Fanatics'. Anëtarët e këtij grupimi ftojnë në këtë mënyrë drejtuesit e klubit të marrin masa sa s'është vonë, sepse "përndryshe do të na gjejnë përballë!". Më tej, tifozët ndërsa shpjegojnë pse kundërshtimi i tyre duhet të merret për bazë. "Klubi i Tiranës është themeluar në 16 gusht 1920 e ka qenë gjithmonë përfaqësues i denjë i popullit të kryeqytetit. Ndryshe nga klubet ushtarake, të krijuara nga politika dhe të mbajtura në këmbë me grabitjen e lojtarëve më të mirë, Tirana jo vetëm u dëmtua me të gjitha mënyrat (deri në grabitjen monstruoze të kampionatit të 1967-s, ende të pakataloguar nga UEFA), por sistematikisht luftohej nga kupola e kuqe, i parë gjithmonë shumë më tepër se një kundërshtar sportiv. Për këtë arsye, ngjyrat bardheblu, jo vetëm për ne, tifozerinë e organizuar, por për çdo të pasionuar pas ekipit tonë janë shumë më tepër se një simbol sportiv. Aty janë mishëruar përpjekjet, sakrificat, gjaku dhe djersa e nje sërë brezash futbollistësh nga më të mirët që ka parë ky vend, por njëkohësisht edhe qëndresa ndaj padrejtësive të panumërta të gjeneralëve apo ministrive inkuizitore të diktaturës. Le të jetë e qartë për këdo se: Për ne, Tirona është shumë më tepër se një ekip! Është ide, pasion, identitet. Është feja jonë! Ju kujtojmë qe Tirona jemi ne, tifozët e saj. Ndërkohë që drejtuesit e lojtarët ndryshojnë vazhdimisht. Ne jemi ata të cilët i kemi qëndruar gjithmonë pranë e do t'i qëndrojmë sa të kemi frymë. 'Jo' provokatorit Devolli në radhët tona! Drejtues, ju ftojmë publikisht të respektoni ndjenjat e historinë unike bardheblu! Tirona është një pasion, një ide, një fe! Këto janë të panegociueshme!", mbyllet letra publike.

Përfaqësuesit
Një grup prej anë-tarëve të grupimit "Tirona Fanatics" do të udhëtojë sot drejt Ohrit për të protestuar për transferimin e Bledar Devollit te Tirana. Këtë e kanë konfirmuar drejtuesit e këtij grupimi, të cilët duket se kanë ndërmend t'i shkojnë nderi në fund kësaj historie për të penguar me të gjitha kushtet transferimin e ish-mesfushorit të Partizanit te bardheblutë. Tifozët do të kërkojnë një takim me drejtuesit e klubit, ku do t'i paraqesin edhe një herë argumentet e protestës së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›