E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajs: Kosova e liderët e saj, miq të përhershëm të SHBA

Dy liderët e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kryen dje në Uashington takimin e parë me zyrtaren e lartë amerikane, sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs, ku vulosën një mbështetje të fuqishme e të përhershme nga SHBA. 

"Fakti që Kosova është e pavarur është diçka që kundërshtarët duhet ta pranojnë", tha Rajs duke kërkuar njëkohësisht edhe njohje më të gjerë për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Sekretarja amerikane e Shtetit, Rajs, bashkë me Sejdiun dhe Thaçin, pas takimit zhvilluan një konferencë te përbashkët për mediat, me bashkimin e flamurit amerikan me atë të Kosovës në sfond. "Liderët e Kosovës dhe populli kosovar do të jenë miq të përhershëm të Shteteve të Bashkuara", tha Rajs duke vlerësuar arritjet që ka bërë Kosova në katër mujorin e pavarësimit të saj dhe efektivitetin në zbatimin e planit Ahtisari. Rajs e konsideroi si moment historik dhe mjaft domethënës vendosjen krah për krah të flamurit amerikan me atë të Kosovës së re. Sekretarja amerikane shprehu sigurinë se Kosova do të ketë një të ardhme të shkëlqyer dhe do të vazhdojë të jetojë e pavarur. "Urova presidentin dhe kryeministrin për progresin e bërë, sidomos në zbatimin e Planit të Ahtisarit", tha Rajs duke kujtuar se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën. Po ashtu, ajo kujtoi se edhe shumica e vendeve të KS të OKB-së tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sekretarja Rajs shtoi se SHBA do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën. Ndihma amerikane për Kosovën gjatë dekadës së fundit kap shifrën prej 1 miliard dollarësh. Presidenti Sejdiu shprehu falënderimin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për ndihmën dhe mbështetjen që SHBA kanë dhënë për Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë si dhe në rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të të gjithë qytetarëve. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Sejdiu tha se "Ne shprehëm falënderime, por edhe dhe zotimet tona se do të vazhdojmë me këtë qëndrim. Kemi objektiv te ndërtojmë një Kosovë-atdhe i të gjithëve. Për ne do të jetë po ashtu edhe kjo një kthesë e veçantë në kuptim të ringjalljes ekonomike të Kosovës dhe në synimin që Kosova të bëhet faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon". Kryeministri Thaçi po ashtu falënderoi për mbështetjen e fuqishme amerikane në procesin e pavarësimit të Kosovës duke përmendur në perspektivë një Kosovë shtet që do të bashkëpunojë edhe me Serbinë si dy fqinje të mira. "Kosova sot është vend i paqes, i stabilitetit dhe i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me vendet e rajonit dhe në të ardhmen edhe me Serbinë, Kosova ka arritur progres në periudhën gjashtëmujore pas pavarësisë. Kjo është një vizitë dhe takim historik, sepse është delegacioni i parë i shtetit të Kosovës që viziton Uashingtonin. Në shprehëm zotimet e reja të Kosovës, e cila do të jetë pjesë e familjes euroatlantike. Populli dhe institucionet e Kosovës përulen para qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e treguar", përfundoi Thaçi. Në vazhdim, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Sekretarja Rajs tha se Kosova ka një popull të vendosur, por edhe miq të vendosur. Vizita e parë e delegacionit shtetëror të Kosovës në Uashington kulmon të hënën, në takimin e presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi me presidentin amerikan Xhorxh Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›