Humbin jetën në aksident dy të rinj
Dy të rinj nga Kruja humbën jetën në një aksident tragjik në superstradën Durrës-Tiranë, duke shënuar një tjetër përgjakje të rrugëve tona në javën e parë të këtij viti. Viktimat e radhës në asfaltet shqiptare janë Hektor Qesja dhe Hamdi Bërdaku. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së diel, në vendin e njohur si kthesa e Maminasit. Nuk është hera e parë që në këtë pjesë të autostradës ndodhin aksidente me pasoja fatale për jetën. Kanë qenë kalimtarët e rastit që kanë konstatuar aksidentin e rëndë dhe dy viktimat brenda makinës që kishte përfunduar jashtë rruge. Konstatimi është bërë rreth tri orë pas daljes nga rruga të automjetit tip BMË me targa të Tiranës.
Dy të rinjtë kanë qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe në kahun e lëvizjes Durrës-Tiranë të superstradës, kur kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në një pellg të mbushur plot me ujë, si rezultat i reshjeve të shumta të ditëve të fundit. Hamdi Bërdaku, 26 vjeç, dhe Hektor Qesja, 31 vjeç, dyshohet se kanë vdekur jo vetëm si rezultat i përplasjes, por edhe nga mbytja në ujin e pellgut ku ka rënë makina. Të pamundur për të reaguar pas përplasjes dhe pa asnjë ndihmë për orë të tëra, viktimat nuk kanë mundur të shpëtojnë. Burimet nga policia e qarkullimit rrugor të Durrësit bënë të ditur se automjeti me të cilin udhëtonin ishte prodhim i viteve të fundit dhe me sistem të lartë mbrojtës, çantat e ajrit (air bag). Identifikimi i trupave që ndodheshin në automjetin me targa TR 6313 K ka qenë i vështirë. Fillimisht është dhënë një identitet i gabuar për njërin prej viktimave, bazuar në një patentë për drejtim automjeti që u gjet në xhepin e 26-vjeçarit Hamdi Bërdaku.
Dokumenti mbante emrin e shtetasit Roland Berhami, por verifikimet e bëra zbardhën plotësisht identitetin e dy të rinjve që humbën jetën në aksident. Nga veprimet e para të bëra në vendin e ngjarjes rezultoi se aksidenti është shkaktuar nga shpejtësia e madhe me të cilin drejtohej automjeti. Në timon ka qenë 26-vjeçari H. Bërdaku. Si rezultat i shpejtësisë së madhe dhe asfaltit të lagur, automjeti ka dalë nga rruga në një vend që njihet si pika e vdekjes për aksin rrugor Durrës-Tiranë. Për të shmangur të tjera aksidente në këtë pjesë të superstradës, rrugorët apelojnë që të vendosen pragje të larta parandaluese, konstruksione metalike që të mund të neutralizojnë pasojat e rënda. Ndërkohë, burimet policore bëjnë të ditur se vazhdojnë të merren masa administrative ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Kryesisht gjobat janë vënë për tejkalim shpejtësie dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.