Rikonstruksion tërësor i gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Gjimnazi i njohur “Dhaskal Todri”, një nga institucionet arsimore më të rëndësishme në qytetin e Elbasanit, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë brenda vitit 2025.
Ky investim i bashkisë së Elbasanit vjen si përgjigje ndaj nevojave urgjente të nxënësve dhe stafit pedagogjik për ambiente më moderne dhe standarde më të larta mësimdhënieje.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, bëri të ditur se përmes këtij projekti do të transformohen të gjitha hapësirat ekzistuese, duke krijuar kushte të reja bashkëkohore për zhvillimin e procesit arsimor.
Me rikonstruksionin e paralajmëruar, 607 nxënës dhe 42 mësues do të përfitojnë, klasat e mësimit të rinovuara dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore, laboratorë funksionalë për shkencat natyrore, sisteme të përmirësuara të ngrohjes dhe sigurisë, si dhe mjedise të jashtme të rehabilituara.
Bashkia e Elbasanit mbetet e angazhuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për brezat e rinj, duke e kthyer shkollën publike në një prioritet të padiskutueshëm të zhvillimit të qytetit.
1 nga 4/k.s/j.p/r.e/