Gjykata lë në burg pa afat Dhimitrov Kërrin
Gjykata e Rrethit të Vlorës ka dhënë dje rivlerësimin e masës së sigurisë për shtetasin Dhimitrov Kërri, 32 vjeç, pas ekstradimit të tij nga Italia, ku fshihej që prej vitit 1999. Ai akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e vëllezërve Kastriot, Gjikë dhe Fane Gërdhuqi, më 12 gusht 1999, në fshatin Mifol të Vlorës.
Vrasja ka ndodhur pasi vëllezërit Gërdhuqi u kanë kërkuar para vëllezërve Kërri, për arsye që ende nuk dihen. Kërrajt nuk kanë pranuar të japin para dhe kanë nxjerrë armët e zjarrit, duke qëlluar mbi vëllezërit Gërdhuqi dhe si pasojë kanë mbetur të vrarë tre pjesëtarë të familjes Gërdhuqi, me banim në fshatin Bestrovë të Vlorës.
Pas vrasjes së vëllezërve Gërdhuqi, vëllezërit Kërri mundën të largohen nga Shqipëria drejt Italisë. Tre prej tyre u kthyen në Vlorë vetëm në vitin 2001, por më 30 korrik të këtij viti, kur vëllezërit Kërri kishin vetëm 10 orë që kishin mbërritur në Vlorë, kanë rënë në një pritë të ngritur nga Gërdhuqët. Sokol, Alfred dhe Ilir Kërri u qëlluan me breshëri armësh, teksa udhëtonin në një makinë në sheshin e skelës.
Vëllai i tyre, Dhimitrovi, nuk ka qenë më parë i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Gërdhuqi në Mifol, por pjesëmarrja e tij në këtë vrasje është vërtetuar pas hetimeve të vazhdueshme të Prokurorisë së Vlorës. Pas identifikimit të tij si pjesëmarrës në vrasjen e trefishtë, Prokuroria e Vlorës dhe gjykata e rrethit e kanë shpallur në kërkim Dhimitrovin. Në bashkëpunim me Interpolin është bërë e mundur kapja e tij dhe përpara disa ditësh ekstradimi nga Italia. Dje, gjykata i ka komunikuar atij marrjen e masës së sigurisë burg pa afat, me akuzën për bashkëpunim në vrasje.