Padrejtësia e kohës
Nderimi i zotit Avni Mula javën që shkoi, me dekoratën më të lartë të vendit, "Nder i Kombit", parashikuar me ligj vetëm për figurat që e kanë nderuar Shqipërinë jashtë vendit, shtron disa vija diskutimi.
A ka vërtet një traditë të konsoliduar të këngëtarëve lirikë apo operistikë shqiptarë, traditë e certifikuar dhe jashtë vendit? Traditë që nis nga vitet ‘50-‘60, apo dhe më parë dhe vijon sot me Inva Mulën, që mund të ishte fare mirë e dekoruar me "Nderin e Kombit"? Apo zoti Mula ishte i pari, i vetmi i brezit të bashkëkohësve të vet, që mund të mburret me çfarë përfaqësoi? A ishte ai i vetmi produkt i puqjes së zërave të bukur shqiptarë me shkollën e mrekullueshme ruse dhe lindore të viteve ‘60?
Nëse kërkon pak në raportimet e mediave të kohës, del një emër tjetër i ndritshëm: Lluk Kaçaj. Një dokumentar i viteve ‘98 jep dëshminë e shumë artistëve, kolegëve, nxënësve të tij për figurën madhore artistike. Jepet një dëshmi e Dhora Lekës, që e shihte Lluk Kaçajn si bas baritonin më të mirë të kohës. Shokët e tij të klasës, një bullgar dhe një rus, u bënë mbretërit e skenave botërore, por ata ishin, sipas Dhora Lekës, më poshtë se Lluka. A thua të ketë të drejtë?
Ama fati i jetës së Llukës ishte tragjik. I burgosur, me fatkeqësi familjare që e pllakosën shumë shpejt, ai e mbylli karrierën artistike gjithashtu shumë shpejt, duke mos na dhënë ne mundësinë ta kujtojmë siç e meriton. Nuk ka për të nderime të mëdha artistike. Nuk ka as nderime kombëtare. Nuk mund të shërbejë kështu as si model për zërat e rinj, megjithëse mund të ishte fare mirë nëse do të propagandohej drejt: nëse do të ritransmetoheshin veprat e tij që janë të paarritshme. Nuk mund të shërbejë si model as dhe me jetën e tij të përunjur, që njihet fare pak. A ja vlen të harrojmë kaq shpejt, ose a e kemi luksin të harrojmë kaq shpejt?