Romë- Siguria ushqimore, ministrja Denaj takon drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi të hënën në Romë një takim me drejtorin e Përgjithshëm të FAO, Qu Dongyu. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministrja Denaj, nëpërmjet një postimi në platformat sociale.
Sipas saj, në këtë takim u diskutua mbi projektet e mbështetura nga FAO në Shqipëri, duke përfshirë iniciativat për bujqësinë digjitale, fuqizimin e grave në zonat rurale dhe zhvillimin e zinxhirit të vlerave.
Ministrja nënvizon edhe një nga projektet e më të fundit të FAO-s që po zbatohet në verilindje të vendit, në Tropojë.
“Nëpërmjet projektit të implementuar nga FAO, në Tropojë, synojmë të rrisim prodhimtarinë e gështenjave nëpërmjet luftës biologjike kundër dëmtuesve”, shkruan Denaj.
Sipas saj, bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja qendrore e organizatës është thelbësore për të arritur qëllimet e përbashkëta për zhvillimin rural dhe sigurimin e ushqimit për të gjithë.
“Nën konceptin “One health, one World” punojmë për të siguruar shëndetin e bimëve dhe të kafshëve për të garantuar shëndetin e njerëzve duke ofruar ushqim të sigurt për të gjithë”, përfundon postimin Denaj.
/rtsh.al/