Rruga Shirokë – Zogaj, Beci: Investim strategjik, në fazën e avancuar të punimeve

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Rruga Shirokë – Zogaj është një nga projektet më të rëndësishme që po realizohen me ritëm të shpejtë në Shkodër.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ka ndarë pamje nga punimet në këtë aks rrugor, ndërsa është shprehur se rruga panoramike Shirokë – Zogaj po kalon nga një aks i amortizuar, në një infrastrukturë moderne, funksionale dhe të sigurt.
“Ky investim strategjik ka hyrë në fazën e avancuar të punimeve, me përfundimin e gërmimeve, mbushjeve dhe ndërtimin e strukturave mbajtëse”, tha Beci.
Sipas Becit, “ky projekt i jep fund harresës për zonën, duke i hapur rrugë zhvillimit të qëndrueshëm, jo vetëm për turizmin përgjatë liqenit të Shkodrës, por edhe duke shërbyer si një urë lidhëse e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”.
Ndërkohë, banorët e kësaj zone shprehen të kënaqur për investimin, të cilin thonë se kishin kohë që e prisnin.
“Tani ka vënë dorë shteti dhe shohim që janë duke punuar shumë mirë. Pjerrësitë po eliminohen dhe ne jemi shumë të kënaqur”, shprehen ata.
Rruga Shirokë – Zogaj është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës. Ky projekt po zbatohet nga kompania “ALB Star”, e cila fitoi kontratën 4,7 milionë euro, teksa parashikohet që punimet të përfundojnë më 2 tetor 2025.
Rruga, bashkë me bajpasin në qendër të fshatit Zogaj, do të jenë dy segmente kyçe për lehtësimin e qarkullimit, duke e kthyer fshatin Zogaj në një korridor të rëndësishëm turistik dhe ekonomik.
/e.i//a.f//r.e/