Portretet e Medvedevit në vend të Putinit
Dekorimi i zyrave me portrete gjigande dhe me foto të liderëve të vendit ka qenë traditë në Rusi që nga Revolucioni i tetorit 1917-të. Në epokën sovjetike, përmasat dhe numri i madh i portreteve të tilla që vareshin në mure apo shiheshin mbi tavolina, ishte një mënyrë e shfaqjes së besnikërisë ndaj liderit dhe sistemit komunist. Tradita është e gjallë edhe në Rusinë post-sovjetike, në zyrat e qeverisë, ministri, kompanitë private, shkolla e dyqane, kudo mund të shikohen portretet e Presidentit Vladimir Putin. Por, ndërsa zgjedhjet presidenciale në Rusi po afrohen, dhe pasuesi i Putinit është i paracaktuar, disa gjëra po ndryshojnë shpejt. Një dyqan në Jekaterinburg- një qytet në rajonin e Uraleve -nuk shet më vetëm portretet e Putinit, por edhe ato të Medvedevit. Çdo portret shitet 500 rubla ose rreth 22 dollarë amerikanë. "Më pëlqen Presidenti ynë i ardhshëm, Medvedev. Ndjek të gjitha programet televizive dhe më pëlqen pasuesi i Putinit, ashtu si edhe vetë Putini", thotë një banor i Jekaterinburgut. E kjo, ndryshe mund të përkthehej: "Mbreti vdiq, rroftë mbreti"!