E Diel, 1 Nëntor 2026

Rushdie eleminohet nga finalistët

Juria e çmimit letrar “Booker Prize” eleminon nga lista e finalistëve shkrimtarin Salman Rushdie. Në korrik, libri itij “Fëmijët e mesnatës” (1981) u zgjodh nga një juri prej mijëra lexuesish “Best of the Booker”, romani më i mirë, në 40 vitet e konkursit letrar. Pas kësaj, të gjithë prisnin që shkrimtari indiano-anglez Salman Rushdie të hynte i sigurtë në finale, me librin e fundit “Magjistarja e Firences”. Rushdie u radhit mes 13 të përzgjedhurve, por nuk mundi të hyjë në listën e ngushtë. “Nuk mund të them që ka pasur një debat të ndezur mes nesh. Sigurisht kemi diskutuar me pasion për të tjerë libra, por jo për atë të Rushdie-ut. Sipas të 5 anëtarëve të jurisë, “Magjistarja e Firences” nuk meritonte finalen. Ishim të gjithë dakord”, - është shprehur Michael Portillo, presidenti i jurisë.

Libri i fundit i Rushdie u botua në Britaninë e Madhe në muajin prill dhe menjëherë e ka ndarë kritikën në dy pole. Përralla për të rritur, është përkufizuar nga “Sunday Times” si “gjëja më e keqe që ka shkruar ndonjëherë Rushdie” dhe “brilante, tërheqëse…” në recensionin e “The Guardian”.

Drejt çmimit të 14 tetorit shkojnë, ndërkaq, shkrimtarët, indiani Arivand Adiga, Steve Toltz, Amitav Ghosh, Linda Grant, Sebastian Barry dhe Philip Hensher. “Nuk them se janë kryevepra, por do t’ju argëtojnë”, - është shprehur Portillo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›