Serbia: Do pengojmë sportin kosovar në arenën ndërkombëtare
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krerët e federatave sportive në Serbi janë çuar në këmbë për ta penguar ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. Ata kanë dalë me të njëjtin qëndrim: Kosova të mos pranohet në asociacionet sportive ndërkombëtare, për aq kohë sa nuk është anëtare e OKB-së. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, siguroi serbët se Kosova nuk do të bëhet anëtare e institucionit që ai drejton, deri në momentin që nuk të pranohet në OKB, ndërkohë që sipas presidentit të Komitetit Olimpik të Serbisë (OKS) Predrag Manojloviç, kjo nuk do të ndodhë. Federata e parë serbe, që ka qenë kundër aktivizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ka qenë ajo e futbollit (FSS). Presidenti i saj, Zvezdan Terziç, ka thënë se do të kundërshtojë tek UEFA e FIFA. "Personalisht, nuk do ta pranoj anëtarësimin e Kosovës, madje edhe me çmimin e largimit nga detyra në FSS", tha ai. Megjithatë, drejtuesit e federatave të sportit në Kosovës mendojnë ndryshe: sipas tyre, Serbia nuk ka shanse t‘i pengojë. Për kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, deklaratat e serbëve janë qesharake dhe anëtarësimi në OKB nuk mund të ndalojë pranimin e sporteve. Aktualisht, federatat e vetme kosovare që përfaqësohen në arenën ndërkombëtare janë hendbolli dhe pingpongu.