E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja piktorët që shiten më shtrenjtë në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Tranzicioni i artit në Shqipëri duket se po zgjat më shumë sesa ishte menduar. Shumë artistë kanë filluar të ndihen të lënë pas dore nga gjithçka. Vlerat e tyre nuk kanë mundësi të ekspozohen dhe aq më tepër të paguhen. Edhe pse arti është ambasadori më i mirë i vendit tonë në botë, artistët shqiptarë e kanë marrë vetë në dorë situatën, ata kanë filluar që artin e tyre ta kthejnë në biznes. Pasioni i të pikturuarit për shumë nga piktorët tanë është kthyer në një domosdoshmëri mbijetese. Nëse ata nuk do të kishin mundësi të shisnin punët e tyre, tani do të ishin duke bërë ndonjë punë të rëndomtë. Vlerat e tyre janë ekspozuar dhe janë vlerësuar në shumë vende evropiane e botërore, dhe kjo u ka risjellë atyre shpresën se edhe në Shqipëri arti ka vlerë. Ekspozitat tashmë jo më vetëm për art, por edhe për para. Madje, një pjesë e piktorëve më të njohur duket se gjatë kohëve të fundit ekspozojnë vetëm për të fituar para. Kështu piktorët shqiptarë kanë arritur që arti i tyre të shitet kundrejt shumave me të cilat blihen edhe artistë të huaj. Pavarësisht vështirësive të shumta që ata ndeshin në ekspozimet e punëve të tyre në Shqipëri, ose edhe vështirësive në marrjen pjesë në ekspozita të përbashkëta në vende të huaja, ata kanë arritur të përfaqësohen denjësisht dhe të vlerësohen në çdo vend.

Galeritë private

Në kryeqytet ka disa galeri private arti të cilat herë pas here organizojnë ekspozita, të një individi ose edhe grup piktorësh. Zakonisht, qëllimi i këtyre ekspozitave nuk është vetëm ekspozimi i punëve, por edhe shitja e tyre. Në shumë raste ka pasur edhe shitje kolosale, punë të autorëve të ndryshëm që kapin shifra marramendëse për nivelin e jetesës në vendin tonë. Punonjësit e këtyre galerive pohojnë se pjesa më e madhe e blerësve të punëve të shtrenjta janë bisnesmenë shqiptarë. Të gjithë do të kishim menduar që janë të huajt ata që blejnë piturat më të shtrenjta, por kjo nuk është e vërtetë, shqiptarët kanë filluar të bëhen të ndjeshëm ndaj pikturës, dhe i kushtojnë një rëndësi të veçantë dekorimit të ambienteve të tyre me to. Kështu, një pjesë e mirë e artistëve pohojnë se punojnë me porosi, qoftë për pikturat apo edhe për skulpturat, të cilat kanë edhe çmime mjaft të larta. Kështu, vepra e Ali Osekut, e cila ka një konceptim kozmik dhe abstrakt, është shitur 1400 euro. Kurse vepra e Gazmend Lekës, e cila ka si specifikë prekjen e figurave dhe trajtimin e tyre nëpërmjet simbolikës me elemente mitologjike dhe ngjyrë të errët, është shitur 1200 euro. Piktorja Najada Hamza, e cila ka në qendër lajtmotivin e lules, duke e ndërthurur atë me tekstilin, është vlerësuar 1400 euro.

43 piktura të shitura nga një ekspozitë
Ahmeti ka thyer një rekord me shitjen e 43 pikturave vetëm në një ekspozitë. Ato kanë qenë piktura që janë blerë kryesisht nga biznesmenë shqiptarë. Për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve shiten të gjitha pikturat e një ekspozite. Kjo ka ndodhur pikërisht me piktorin e ardhur nga Amerika, Bashkim Ahmeti. Ky fakt ka lënë me gojë hapur shumë vetë, madje edhe vetë punonjësit e galerisë. Ndër veprat e tij të shitura mund të përmendim ato me titull “Kulla Krystler me hënë”, e punuar me vaj në kanavacë dhe me përmasa 122 x 155 cm. Kjo vepër ka kushtuar 2500 dollarë. Një vepër tjetër ka qenë “Piktori në rrugë”, e punuar me vaj në kanavacë me përmasa 121 x 152 cm, e cila është blerë 3200 dollarë dhe vepra me titull “Pritja”, e punuar me vaj mbi kanavacë, me përmasa 137 x 140, e shitur për 3600 dollarë.

Arti modern dhe abstaksioni
Kohët e fundit arti modern ka filluar të kërkohet më shumë për shkak të arredimit modern të shtëpive. Kështu, pikturat moderne janë vendosur në qendër të vëmendjes, por jo vetëm kaq, edhe çmimet e tyre janë jo pak të kripura. Kohët e fundit kemi pasur mundësi të shohim ekspozitën më të fundit të Gjovalin Pacit, një prej piktorëve të mirënjohur shqiptarë, i cili është prezantuar denjësisht edhe në shumë vende të botës. Punët e tij janë vlerësuar me disa çmime dhe çmimi i tyre i shitjes është mjaft i lartë. Vetëm në ekspozitën e fundit, çmimet varionin nga 150 euro në 5000 euro. Vetë piktori pohon se arti për të është biznes dhe me të ai mban familjen.

Piktorët më të shitur

Bashkim Ahmeti
“Don Kishoti” - 8000 dollarë
“Romancë me të kuqe dhe blu” - 6000 dollarë
“Zbritje” - 4000 dollarë
Ali Oseku
Vepra më e shitur e tij kap çmimin 1400 euro
Najada Hamza
Vepra më e shitur e saj kap çmimin
1400 euro
Gazmend Leka
Vepra më e shitur e tij kap çmimin 1200 euro
Orion Shima
Vepra më e shitur e tij kap çmimin 1000 euro
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›