E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump nënshkruan urdhrin për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor

UASHINGTON, 24 qershor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka zgjatur urdhrin ekzekutiv për gjendjen e jashtëzakonshme në Ballkan për një vit tjetër, sipas “Vox news”.

Dokumenti zyrtar i publikuar në Regjistrin Federal thotë se situata në rajonin e Ballkanit vazhdon të paraqesë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Njoftimi thekson se veprimet e individëve që kërcënojnë përpjekjet për paqe dhe stabilizim në Ballkan vazhdojnë të pengojnë progresin demokratik dhe integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike.

Për këto arsye, presidenti i SHBA-së ka vendosur ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 12 muaj të tjerë.

Ky vendim do t’i kalohet Kongresit dhe është bërë zyrtar me botimin e tij në Regjistrin Federal.

Urdhri ekzekutiv u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan.

Qëllimi ishte të zbatoheshin dispozitat e Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës për të adresuar kërcënimet e pazakonta dhe të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Masat e marra në atë kohë i referoheshin situatës në Maqedoninë e Veriut, shkeljes së Marrëveshjeve të Dejtonit në Bosnjë-Hercegovinë, apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Presidenti i SHBA-së më pas e ndryshoi atë urdhër me “Urdhrin Ekzekutiv 13304” më 28 maj 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me veprime të caktuara që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu, më 8 qershor 2021, u miratua “Urdhri Ekzekutiv 14033”, i cili zgjeroi fushëveprimin e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›