E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump njofton tarifën prej 100% ndaj produkteve farmaceutike

UASHINGTON, 26 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi dje një tarifë prej 100% ndaj produkteve farmaceutike duke filluar nga 1 tetori, të cilën prodhuesit mund ta shmangin nëse janë duke ndërtuar objekte prodhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Fabrikat farmaceutike, të cilat janë në fillim të punimeve ose në ndërtim e sipër, nuk do të jenë subjekt i tarifave”, tha Trump në “Truth Social”.

Tarifat pritet të godasin vende të tilla si India, furnizuesja kryesore e produkteve farmaceutike në SHBA.

Kompanitë farmaceutike gjermane janë gjithashtu të shqetësuara, pasi SHBA-ja është tregu i tyre më i rëndësishëm i eksportit, duke përbërë gati një të katërtën e eksporteve farmaceutike gjermane.

“Në vitin 2024, eksportet farmaceutike gjermane në SHBA u vlerësuan në rreth 27 miliardë euro”, sipas Zyrës Federale të Statistikave.

Kjo e bën tregun amerikan shumë më të rëndësishëm për industrinë farmaceutike gjermane, e cila ka punësuar afërsisht 130 000 njerëz, krahasuar me sektorët e tjerë si makineritë apo kimikatet.

Ndërsa marrëveshja midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian vendosi një normë bazë tarifore prej 15% për eksportet e BE-së në fillim të këtij viti, mbetet e paqartë nëse prodhuesit farmaceutikë, të gjysmëpërçuesve dhe të drurit mbulohen nga ky kufizim.

Pasiguria për prodhuesit evropianë vjen pas një konfuzioni të ngjashëm në sektorin e automobilave, ndërsa dje hyri në fuqi ulja retroaktive e tarifave të SHBA-së për automjetet e BE-së nga 27,5% në 15% që nga 1 gushti. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›