E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Do ta shpallim pavarësinë dhe pse s‘ka konsensus në OKB

Pjesa më e rëndësishme e takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, jo vetëm nga ana simbolike ishte fjala e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ku ai argumentoi arsyeshmërinë e statusit të pavarur të

Kosovës, duke e quajtur si çështjen të fundit ende të hapur në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. "E kam të qartë se në Këshillin e Sigurimit nuk ka një konsensus, mirëpo zbatimi i planit "Ahtisari" nën mbikëqyrjen e BE-së dhe NATO-së është rruga më e mirë përpara dhe unë garantoj zbatimin e plotë të këtij plani", tha Kryeministri Thaçi. "Ne jemi të gatshëm për pavarësi, tha më pas Kryeministri i Kosovës pas daljes nga seanca kur iu drejtua gazetarëve para sallës së Këshillit të Sigurimit, duke theksuar se Kosova e pavarur do të jetë një vend i mundësive të barabarta për të gjithë dhe do të sjellë paqe për tërë rajonin. i pyetur për shpalljen e pavarësisë, Thaçi as në Nju Jork nuk dha ndonjë datë përveçse ritheksoi matjen kohore me ndajfoljen "shpejt", duke shtuar se çdo vendim që do të marrë

Prishtina do të jetë "në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Uashingtonin dhe Brukselin". Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se ai dëshiron të mbrojë të drejtat e pakicave dhe u thotë atyre se Kosova është edhe vendi i tyre. "Do të punoj shumë afër me serbët që t‘i bind për të qëndruar në vendbanimet e tyre në Kosovë. Kosova është edhe vendi i tyre", i ka thënë Thaçi televizionit grek "Sky" në një intervistë të transmetuar të enjten në mbrëmje. Ai ka shtuar se Kosova nuk është vetëm i shqiptarëve, por edhe i serbëve, malazezëve, boshnjakëve, turqve dhe të tjerëve që jetojnë në të. Thaçi ka thënë se shumë shpejt do të nisë lobimi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe për të arritur këtë qëllim do të bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe OKB-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›