E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA i kërkon ndihmë Evropës

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, u drejtoi një apel të drejtpërdrejtë evropianëve të dielën dhe u kërkoi të mbështesnin luftën në Afganistan, pasi dhuna dhe terrorizmi mund të shtrihej në të gjithë botën nëse NATO mundet atje. Duke pranuar gabimet e politikës, Gejts u kërkoi aleatëve të bashkoheshin në luftën kundër militantëve islamikë në Afganistan dhe tha se kredibiliteti i vetë NATO-s ishte në lojë. "Kërcënimi i paraqitur nga ekstremizmi islamik është real dhe nuk do të largohet", tha Gejts në takimin e përvitshëm të ekspertëve të sigurisë dhe ushtrisë, në Munih të Gjermanisë.

"Unë jam i shqetësuar që shumë njerëz në këtë kontinent mund të mos e kuptojnë manjitudën e këtij kërcënimi të drejtpërdrejtë edhe për sigurinë e Evropës", tha Gejts duke pohuar se mbështetja e publikut për luftën në Afganistan, është dobësuar në Evropë. Fjalimi i tij ishte lëvizja më e fundit në një fushatë që ai ka ndërmarrë, shpeshherë edhe në heshtje e shpeshherë nëpërmjet deklaratave të ashpra publike, për të bindur aleatët e NATO-s të dërgojnë më shumë trupa dhe burime në misionin në Afganistan. Edhe pse Franca ka lënë të kuptohet se do të dërgojë më shumë trupa, Gjermania ka hezituar të përfshihet më shumë.

Gejts ndërkohë, thotë se NATO nuk mund t‘ia lejojë vetes luksin e lejimit të disa vendeve të luajnë rol më pak të rrezikshëm në mision, ndërsa të tjerët të luftojnë dhe të vdesin, një koment ky që në dukje kishte në shënjestër pikërisht Gjermaninë, e cila i kufizon trupat e saj në veriun e sigurt të Afganistanit. Pas fjalimit të tij, disa politikanë gjermanë kritikuan Gejtsin e madje një prej tyre e akuzoi atë se është tendencioz, por shefi i Pentagonit tha se ai nuk kishte dashur të sulmonte asnjë vend në mënyrë specifike dhe e quajti Gjermaninë më të ndjeshme nga sa duhet. "Ky është një problem i aleancës, jo thjesht i një vendi të veçantë", tha Gejts. "Gishti nuk i është drejtuar asnjëherë Gjermanisë".

Gejts e cilësoi militantizmin islamik një lëvizje të ndërtuar mbi suksese të rreme duke thënë se e vetmja gjë që ajo ka bërë këto kohët e fundit, është shkaktimi i vdekjes së mijëra myslimanëve të pafajshëm me qëllimin e vetëm, krijimi i trazirave në tërë Lindjen e Mesme. "Çfarë do të kishte ndodhur nëse suksesi i rremë të cilin ata e trumbetojnë të bëhej sukses real, nëse ata triumfojnë në Irak apo Afganistan apo nëse ia dalin mbanë të rrëzojnë qeverinë në Pakistan? Çfarë do të ndodhte sikur ata të rrëzonin ndonjë tjetër qeveri të rëndësishme në Lindjen e Mesme?", pyeti ai. "Me parajsa të sigurta në Lindjen e Mesme dhe me taktika të përmirësuara në fushëbeteja apo edhe në internet, dhuna dhe terrorizmi mund të pushtojë tërë botën", tha ai.

Gejts, ndërkohë, citoi edhe dhjetëra sulme apo komplote kundër shënjestrave evropiane, përfshirë bombat në Londër e Madrid dhe kujtoi edhe një herë tjetër sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Imagjinoni sikur terroristët islamikë të godisnin kryeqytetet tuaja në të njëjtën shkallë me Nju Jorkun", tha ai.

"Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pësimet e kthyera në mësime gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, nuk kanë qenë të lehta, por ne po ecim përpara dhe madje kemi akoma për të mësuar", tha ai. Gejts tha se sulmet e 11 shtatorit, ishin me të vërtetë therëse, pasi SHBA në vitet ‘80, i ktheu shpinën Afganistanit, pasi trupat sovjetike u tërhoqën dhe vendi u shndërrua në një parajsë të sigurt për Al-Kaedën. Ai e cilësoi vendimin për të braktisur Afganistanin si një gabim të pafalshëm për të cilin edhe vetë ai ka qenë pjesërisht përgjegjës.

Në fakt, Gejts ka qenë një zyrtar i lartë i CIA-s kur ajo ndihmoi guerrilasit muxhahedinë të luftonin sovjetikët dhe më pas kishte shërbyer si zëvendëskëshilltar për sigurinë kombëtare dhe drejtor i CIA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›