"Vala Obama" mbyt Hillarinë
Barak Obama vazhdon vrapin drejt nominimit demokrat për garën për Shtëpinë e Bardhë. Senatori afro-amerikan i Illinoisit, ka fituar në mënyrë bindëse tre konkurrimet demokrate në program, në Luiziana, Nebraska dhe në shtetin e Uashingtonit. Obama ka lënë pas senatoren e Nju Jorkut, madje me shumicë dërrmuese votash në shtetin e Uashingtonit dhe në Nebraska ndërsa avantazhi ka qenë më i ngushtë në Luiziana. Fitoret e lejojnë senatorin Obama të zvogëlojë akoma më tej distancën jo fort të madhe për sa i takon numrit të delegatëve duke konfirmuar paqartësinë ekstreme të sfidës mes dy senatorëve demokratë në marrjen e nominimit të partisë së tyre për Shtëpinë e Bardhë. Sipas një përllogaritjeje të bërë nga CNN, senatori nga Çikago ka aktualisht 1039 delegatë, duke qëndruar pak pas Hillari Klintonit që ka 1100 të tillë. Gjithsesi, përllogaritjet janë të diskutueshme. "Ka shumë në lojë", ka nënvizuar edhe vetë Obama ndërsa foli në Virxhinia, "sfidat janë shumë të mëdha për të vazhduar me të njëjtat lojëra të vjetruara të Uashingtonit dhe me të njëjtët lojtarë tashmë të plakur. Njerëzit duan të ndryshojnë kapitull, duan të shkruajnë madje një kapitull të ri në historinë amerikane". E trishtuar nga kjo disfatë e rëndë, ish-zonja e Parë gjithsesi i ka mëshuar sërish tezës së eksperiencës: "Nëse do të marr nominimin", ka thënë ajo, "nuk duhet të shqetësoheni asnjëherë se kush mund të përfundojë ‘nock out‘ në ring, sepse unë kam forcën dhe eksperiencën për të udhëhequr këtë vend". Në kampin republikan ndërkohë, Majk Hakëbi ka mundur senatorin Xhon MekKein duke marrë dyfishin e votave të tij në Kansas e duke e lënë pas edhe në Luiziana. Tërheqja e miliarderit mormon, Mit Romnei, ka fuqizuar pozicionin e Hakëbit, i vetmi konservator i mbetur ende në garë. Në Kansas, Hakëbi ka marrë 60 për qind të votave, ndërsa senatori MekKein ka ndaluar në kuotën 24 për qind. Hakëbi është imponuar edhe në Luiziana. Në garën në Uashington, sipas CNN, senatori MekKein ka marrë 26 për qind kundrejt 24 për qindëshit të ish-guvernatorit të Arkansasit. "Loja është ende e hapur", ka deklaruar Hakëbi, "nuk kam ndër mend të braktis garën". Në të vërtetë, MekKein mund të numërojë më shumë se 700 delegatë, ndërsa Hakëbi ka pak më shumë se 200. Numri magjik, për një nominim të sigurt, është 1191 delegatë. Në planin shifror pra Hakëbi duket në një pozicion të pashpresë. Por, në planin politik ka mundësi të shumta, pasi pritet të vazhdojë të fitojë në zgjedhjet paraprake me mbështetjen e konservatorëve duke nxjerrë në pah pasigurinë e republikanëve për senatorin-hero të Vietnamit. Pastor baptist dhe eksponent i konsideruar ultrakonservator, Hakëbi, ka fituar të martën e shkuar në katër shtete të jugut, si edhe në Virxhinian Perëndimore.