E Martë, 3 Nëntor 2026

SHËN PETËRBURG – Putin: Rusia mund të ndihmojë në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Iranit dhe Izraelit

SHËN PETËRBURG, 19 qershor /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin u ofrua dje në mbrëmje për të ndihmuar në ndërmjetësimin e përfundimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, sipas AP.

“Moska mund të ndihmojë në negocimin e një zgjidhjeje që mund t’i lejojë Teheranit të ndjekë një program atomik paqësor, duke zbutur shqetësimet e sigurisë së Izraelit”, tha Putini.

Duke folur me drejtues të lartë të agjencive ndërkombëtare të lajmeve, Putini vuri në dukje se konflikti Izrael-Iran ishte “një çështje delikate”.

“Por, sipas mendimit tim, një zgjidhje mund të gjendet”, shtoi presidenti rus.

I pyetur se si do të reagonte Rusia nëse Izraeli vriste Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei – Putini refuzoi të përgjigjej.

“As nuk dua të diskutoj një mundësi të tillë”, tha ai.

Khamnei ka hedhur poshtë thirrjet e SHBA-së për t’u dorëzuar përballë sulmeve të tjera izraelite – duke paralajmëruar se çdo përfshirje ushtarake e amerikanëve do të shkaktonte “dëme të pariparueshme për ta”.

Putini tha se kishte ndarë propozimet e Moskës me Iranin, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk po i imponojmë asgjë askujt, ne thjesht po flasim për mënyrën se si e shohim një rrugëdalje të mundshme nga situata. Por vendimi, sigurisht, varet nga udhëheqja politike e të gjitha këtyre vendeve, kryesisht Iranit dhe Izraelit”, tha ai.

Rusia ka ruajtur një akt delikat balancimi në Lindjen e Mesme për disa dekada – duke u përpjekur “të lundrojë” në marrëdhëniet e saj të ngrohta me Izraelin – edhe pse zhvilloi lidhje të forta ekonomike dhe ushtarake me Iranin – një politikë që mund t’i lejonte Moskës të luante rolin e ndërmjetësit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›