E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Ministri i Mbrojtjes: Izraeli do të intensifikojë sulmet ndaj vendeve strategjike të Iranit

TEL AVIV, 19 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha sot se kishte udhëzuar ushtrinë të rriste sulmet ndaj Iranit, duke përfshirë edhe objektet qeveritare, me qëllim që të “minonte” udhëheqjen në Teheran.

“Së bashku me kryeministrin, Benjamin Netanyahu kemi dhënë urdhrin për të rritur intensitetin e sulmeve kundër objektivave strategjike në Iran dhe kundër objektivave qeveritare në Teheran”, tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, në X.

“Këto janë krime lufte të llojit më serioz dhe Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei do të mbajë përgjegjësi për krimet e tij”, tha ai.

Më herët, Izraeli goditi reaktorin në Arak të Iranit dhe vendet në Teheran, ndërsa një raketë iraniane goditi sot Spitalin Soroka në Izraelin jugor.

Sulme të tjera u raportuan në pjesë të tjera të Izraelit, duke përfshirë zonën metropolitane të Tel Avivit.

Izraeli filloi ofensivën e tij ndaj Iranit të premten e kaluar, duke shënjestruar objektet bërthamore, instalimet ushtarake dhe zonat urbane.

Sulmet kanë vrarë shkencëtarë të lartë bërthamorë dhe komandantë të lartë ushtarakë.

Në përgjigje, Garda Revolucionare e Iranit ka nisur sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit.

Izraeli tha se objektivi i tij është të parandalojë Iranin nga pajisja me armë bërthamore, të cilat i konsideron një kërcënim ekzistencial. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›