E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK çon për gjykim gjashtë persona për “ndikim të paligjshëm”, mes tyre ish-zyrtar policie në Tiranë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dosjen penale nr. 177/1 të vitit 2025, që lidhet me veprimtari korruptive dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Në qendër të dosjes janë gjashtë të pandehur: M. Gj, K. M, S. M, E. D, E., R. dhe V. R.

SPAK bën me dije se ata akuzohen për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërkohë, për E. D., i cili në kohën e ngjarjeve ishte zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, rëndon edhe akuza për “Shpërdorim detyre”.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të ndryshme, duke kërkuar dhe përfituar shuma që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin ndikim për të ndikuar në vendimmarrjet gjyqësore, masat e sigurimit personal dhe dënimet e disa të arrestuarve.

Sipas SPAK, E. D. ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë të dhëna nga sistemi TIMS tek persona të tretë, në kundërshtim me ligjin.

Gjatë hetimeve është dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë siguruar nga autoritetet franceze në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare.

Ky procedim është ndarë nga dosja nr. 177 e vitit 2023, ku vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë të dyshuar për trafikim narkotikësh, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›