E Martë, 3 Nëntor 2026

STAMBOLL – Turqia blen avionë “Eurofighter” pas marrëveshjeve me BM-në dhe Gjermaninë

STAMBOLL, 23 korrik /ATSH-DPA/- Turqia arriti sot disa marrëveshje me aleatët e NATO-s, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilat i hapin rrugën blerjes së dhjetëra avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon”, që Ankaraja i ka kërkuar për të forcuar mbrojtjen në rajonin gjithnjë e më të paqëndrueshëm, sipas “Reuters”.

Turqia dhe Britania e Madhe nënshkruan sot një marrëveshje paraprake që i lejon Ankarasë të përdorë avionët “Eurofighter Typhoon”, ndërsa Gjermania miratoi dorëzimin e 40 avionëve.

Turqia, anëtare e NATO-s, është mbështetur në projektet e saj të industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë avionët vendas, dhe blerjet e huaja për të forcuar mbrojtjen.

Përveç avioneve “Eurofighters”, ajo është në bisedime me Uashingtonin për të blerë 40 avionë F-16.

“Qeveria gjermane ka hapur rrugën për dorëzimin e 40 avionëve “Eurofighter Typhoon” në Turqi – pas një vendimi pozitiv nga Këshilli Federal i Sigurisë”, raportoi sot revista “Spiegel”.

Ankaraja ka qenë në bisedime që nga viti 2023 për të blerë 40 avionë “Eurofighter Typhoon”, të cilët janë ndërtuar nga një konsorcium i Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Spanjës, i përfaqësuar nga “Airbus”, “BAE Systems” dhe “Leonardo”.

Ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler, gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve së bashku me sekretarin britanik të Mbrojtjes, John Healey, në Stamboll, tha se ato do të forconin lidhjet dypalëshe dhe do të rrisnin fuqinë ajrore të aleancës së NATO-s, duke mbështetur njëkohësisht aftësitë ajrore të Ankarasë. //a.i/

Qeveria gjermane ka hapur rrugën për eksportin e avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon” në Turqi, duke hequr një pengesë kyçe për një marrëveshje të madhe armësh që përfshin Britaninë e Madhe.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius konfirmoi në Berlin të mërkurën se Ministria e Mbrojtjes i ka dërguar autorizim me shkrim Ankarasë. Qeveria turke tani duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me porosinë, tha ai.

Ky veprim vjen pas një njoftimi të mëparshëm të mërkurën nga Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia, të cilat nënshkruan një letër qëllimi për të çuar përpara një marrëveshje të mundshme për shitjen e 40 Eurofighters.

Avionët luftarakë montohen në Britani si pjesë e një konsorciumi shumëkombësh që përfshin Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën, që do të thotë se të katër vendet duhet të miratojnë çdo marrëveshje eksporti.

Ministria Britanike e Mbrojtjes e quajti marrëveshjen një “hap të rëndësishëm përpara”, duke thënë se do të forconte aftësitë parandaluese të NATO-s dhe do të mbështeste mijëra vende pune në mbrojtje.

Sekretari Britanik i Mbrojtjes John Healey e përshkroi marrëveshjen potencialisht multimiliardë paundëshe si një “arritje të madhe”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›