E Martë, 3 Nëntor 2026

TOKIO – Von der Leyen: BE-ja dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për politikat tregtare

TOKIO, 23 korrik /ATSH/ – Bashkimi Evropian dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare, tha sot për gazetarët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sipas Reuters.

Deklaratat e von der Leyen vijnë pas një samiti BE-Japoni me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba, në një kohë kur BE-ja po has vështirësi në përfundimin e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetëm një ditë para takimeve të mundshme sfiduese me udhëheqësit kinezë.

Ndërkohë, Japonia arriti  dje një marrëveshje tregtare me SHBA-në, e cila ul tarifat për importet e makinave në këmbim të investimeve dhe huave drejt SHBA-së.

Von der Leyen tha se BE-ja dhe Japonia do të synojnë forcimin e sigurisë ekonomike.

“Do të punojmë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare”, tha ajo. “Ne besojmë në konkurrencën globale dhe ajo duhet të sjellë përfitime për të gjithë”, shtoi von de Leyen.

Nga ana e tij, Ishiba u tha gazetarëve se BE-ja dhe Japonia do të punojnë për të ruajtur dhe forcuar një rend ekonomik të lirë, të drejtë dhe të bazuar në rregulla.

Ai shtoi se BE-ja dhe Japonia kanë rënë dakord të punojnë për forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe të nisin bisedimet për një marrëveshje sigurie informacioni.

“Në fushën e sigurisë, ramë dakord të bashkëpunojmë për të nisur një dialog mbi industrinë e mbrojtjes me qëllim forcimin e bazës industriale të mbrojtjes, që është një përparësi për të dyja palët, dhe për të filluar negociatat zyrtare për një marrëveshje sigurie informacioni midis Japonisë dhe BE-së”, tha Ishiba. /Ad.Ab/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›