E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE: Pritet të arrihet një marrëveshje paraprake tregtare me SHBA-në

BRUKSEL, 9 korrik /ATSH/– Bashkimi Evropian tha sot se mund të arrijë një marrëveshje tregtare paraprake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda disa ditësh, sipas “Reuters”.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka premtuar se do të shpallë së shpejti tarifat e reja ndaj disa vendeve të paidentifikuara.

Trump zgjeroi luftën tregtare – duke hedhur hije mbi perspektivën ekonomike globale – pasi deklaroi se do të vendoste një tarifë prej 50% ndaj bakrit të importuar – dhe se shumë shpejt do të zbatonte tarifat e shumëpërfolura ndaj gjysmëpërçuesve dhe produkteve farmaceutike.

Administrata e presidentit Trump premtoi “90 marrëveshje në 90 ditë” pasi shpalli një seri tarifash specifike për vende të ndryshme në fillim të prillit.

Deri tani janë arritur vetëm dy marrëveshje, me Britaninë e Madhe dhe Vietnamin.

Trump tha se pritet të arrihet një marrëveshje me Indinë.

Presidenti amerikan tha se bisedimet tregtare po shkonin mirë me Kinën dhe Bashkimin Evropian, i cili është partneri më i madh dypalësh tregtar i SHBA-së.

“Ndoshta brenda dy ditësh – do t’i bëjë të ditur BE-së se sa do të jetë norma e tarifave – për eksportet e saj drejt SHBA-së”, tha me heret Trump – duke shtuar se blloku ishte bërë shumë bashkëpunues.

“Ka patur progres në një marrëveshje tregtare kuadër dhe një pakt mund të arrihet brenda pak ditësh”, tha komisioneri BE-së për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Maros Sefcovic.

Sefcovic u tha ligjvënësve të BE-së se shpreson që negociatorët evropianë të mund ta përfundojnë punën së shpejti, duke përfituar edhe nga shtyrja e afatit të tarifave amerikane deri më 1 gusht.

“Shpresoj të arrijmë një përfundim të kënaqshëm, ndoshta edhe në ditët në vijim,” tha Sefcovic. /Ad.Ab./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›