E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Ushtria izraelite sulmon pozicionet e Hezbollahut në Libanin jugor

TEL AVIV, 9 korrik /ATSH-DPA/-  Ushtria izraelite tha sot se kishte sulmuar dhe shkatërruar pozicionet e Hezbollahut, në territorin libanez në kuadër të operacioneve speciale dhe të shënjestruara.

“Në disa zona të Libanit jugor, zyrtarët e inteligjencës identifikuan armë dhe infrastrukturë terroriste – që i përkisnin milicisë pro-iraniane”, tha ushtria.

Një operacion në kreshtën malore Jabal Balat thuhet se zbuloi depo armësh dhe disa pozicione të Hezbollahut, të cilat u shkatërruan.

Gjatë një operacioni tjetër, ushtarët zbuluan armë të fshehura – duke përfshirë mitralozë dhe pajisje shpërthyese – si dhe një depo nëntokësore armësh në terrenin pranë Labbuneh-ut.

Izraeli dhe Hezbollahu ranë dakord për një armëpushim, në nëntor të vitit të kaluar pas disa muajsh sulmesh ndërkufitare – që u përshkallëzuan me pushtimin izraelit në Libanin jugor.

Pavarësisht armëpushimit, forcat ajrore të Izraelit kanë vazhduar të sulmojnë objektiva në Liban, pothuajse çdo ditë.

Sipas marrëveshjes, Hezbollahu pranoi të tërhiqej pas lumit Litani, i cili shtrihet rreth 30 kilometra në veri të kufirit.

Izraeli ka akuzuar milicinë për shkelje të kërkesës – në mënyrë të përsëritur.

Sipas IDF-së, qëllimi i operacioneve më të fundit speciale në territorin libanez – ishte të parandalohej përgjithmonë Hezbollahu nga rigrupimi në rajon – duke shkatërruar infrastrukturën e milicisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›