AMA, konsultime për projektligjin “Për lirimin e frekuencave të Digital Divident Dy

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi zhvilloi një takim me drejtues të lartë të ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv (OMSHA), për konsultim të projektligjit, “Për lirimin e frekuencave të Digital Divident Dy” (DD2).
Në takim ishin ftuar operatorët që preken nga procesi për të diskutuar mbi lirimin e brezit 700 MHz, me qëllim harmonizimin e përdorimit të spektrit në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian dhe rekomandimet e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve (ITU).
Sipas Krasniqit, në përputhje me këto detyrime, aktualisht Shqipëria përgatitet që nëpërmjet ndryshimit të brezit të frekuencave për Operatorët e Shërbimeve Mediatike Audiovizive, të cilët do të kalojnë në transmetim në frekuenca më të ulëta, t’i hapë rrugë shërbimeve të telekomunikimit, siç e diktojnë kushtet e reja teknologjike.
Gjatë takimit, Krasniqi dhe drejtuesit e OSHMA-ve diskutuan kushtet e këtij kalimi, të parashikuar në projektligjin e hedhur për konsultim publik.
Sipas Krasniqit, Plani Kombëtar i Frekuencave, i miratuar nga Qeveria në dhjetor 2024, parashikon që lirimi të përfundojë deri në fund të vitin 2025.
“Ky proces kërkon përcaktimin e një skeme kompensimi për Operatorët, të cilët duhet të zhvendosen nën brezin 700 MHz, pasi do të ketë ndryshime në rrjetin kombëtar, transmetues, ndryshim zonash mbulimi etj., që përkthehen në investime të reja për operatorët kombëtarë”, tha Krasniqi.
Qëllimi i projektligjit “Për lirimin e frekuencave të Digital Divident Dy (DD2) është të sigurojë vazhdimësinë e marrjes nga publiku të të gjitha programeve televizive, që transmetohen nëpërmjet rrjeteve tokësore, pas lirimit të brezit 700 MHz, përmes kompensimit të pjesshëm të kostove neto shtesë/direkte që shkakton procesi i lirimit të brezit 700 MHz.
/k.s/j.p/