E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i frikës dhe seriali i barazimeve

Paradoks i trajnerit Mema apo një harresë e vogël? Orët e para në stolin e Tiranës dhe trajneri ri deklaron se ka vetëm një objektiv... titullin kampion! Një frazë që nuk e dëgjuam nga paraardhësi Hafizi, që edhe mund të besohej më shumë. Por "diplomati" Mema i njeh më mirë tekat e familjes bardheblu, ku premtimet e bujshme bëjnë pjesë në ushqimin e klubit. Mirëpo, në prag të ndeshjes derbi me Dinamon është Sulejman Mema që thotë se "nëse fitojmë ndeshjen me Dinamon, atëherë jemi në garë". Për cilën garë bëhet fjalë. Për një vend në Evropë? Apo për garën e titullit kampion? Sigurisht, është kjo e dyta, por trajneri ka frikë ta përmend gjithmonë. Sepse fati i ndeshjes me Dinamon përcakton shumë edhe fatin e trajnerit. Edhe nga deklaratat kuptoje se tekniku ishte më i shtrënguar për ta fituar ndeshjen sesa kolegu Agim Canaj, që çuditërisht shfaqej i kënaqur edhe me barazim. Ama kjo zbulon edhe atë që thuhet nën zë, se tekniku i bluve, edhe pse dominon kampionatin prej javësh, rrezikon stolin nëse humbet një ndeshje "delikate".

Le t‘i shkojmë pas një episodi: sapo ka mbaruar ndeshja e Tiranës me Kastriotin. 3 gola në favor të kampionëve nxisin një telefonatë midis donatorëve. "E patë se çdo të thotë kur trajneri është tirons? Edhe golat vijnë menjëherë". Të shtunën në "Selman Stërmasi" donatorët ndofta nuk i kanë telefonuar njëri-tjetrit. Jo se nuk u pëlqen pika me Dinamon, por sepse nxitojnë te rezultatet e trajnerit të ri. Ngaqë barazimi me Elbasanin u shfrytëzua për largimin e Hafizit, kjo i detyron që të tregohen të zhgënjyer pas barazimit me kryesuesit. Por thonë se ndodhi më e mira për trajnerët. Nëse do të kujtoni, këto ndeshjet e përfolura si "kyçe" apo "finale" më shpesh kanë qenë 90 minuta llogarie. Edhe të shtunën dekori dukej i njohur edhe pse dëshira e Tiranës për fitore ishte më e dukshme sesa e kundërshtarit. Po ashtu ishte e dukshme se kjo ndeshje që pati spektakël vetëm në letra, ishte veçse një derbi pa histori.

Prej javësh kemi predikuar se kjo Dinamo argëton më shumë dhe shënon më lehtë. Por në ndeshjen me Elbasanin dhe Tiranën ekipi nuk tregon intuitën e një kolektivi që kërkon të kurorëzohet. Bile ndihesh i zhgënjyer kur festojnë pikën me kampionët. Vite më parë, kur blutë u shpallën kampion, me lojën e tyre na mësonin se një ndeshje aventurë është e bukur edhe kur je humbës. Në futbollin e sotëm, ku ka pak tifozë, por shumë presion mbi trajnerët, ndeshjeve që nuk kanë fitues, duhet t‘u gëzohemi për hir të trajnerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›