E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Puneve te Jashtme

Qeveria e Kryeministrit Sali Berisha ka marrë mesazhe pozitive nga Brukseli në përpjekjet e saj për të përmbushur kriteret për Shqipërinë që të bëhet anëtare e NATO-s. Vlerësimet kanë ardhur kryesisht pas marrëveshjeve politike në Tiranë, për të çuar deri në fund reformat në sistemin e drejtësisë dhe ato në fushën zgjedhore, si kushte të rëndësishme për të marrë ftesën për në NATO. Gjithashtu, në raportet ndërkombëtare nuk kanë munguar tonet pozitive për rolin konstruktiv në shërbim të paqes në rajonin e Ballkanit (edhe pse historikisht shqiptarët kanë qenë konstruktivë dhe viktima të destruktivitetit të fqinjëve). Madje, për të marrë mesazhe falënderimi për rolin e Shqipërisë në rajon, Kryeministri Berisha ka shkuar me gjysmën e qeverisë deri edhe te Perandori i Japonisë.

Si qytetarë të përgjegjshëm, padyshim që duhet t‘i vlerësojmë si historike zhvillimet në Kosovë dhe rajon, por edhe anëtarësimin e mundshëm të Shqipërisë në NATO dhe padyshim që të gjithë duhet të përjetojmë krenari për këto zhvillime. Në këtë kuadër, ne të gjithë mirëpresim çdo sinjal pozitiv dhe çdo vlerësim që vjen nga Brukseli. Por a duhet të jemi të lumtur ne si popull, kur Brukseli na lëvdon rolin në rajon e na përshëndet politikanët që po bëjnë punë të paqme mes tyre? Padyshim që jo, pasi lumturia e një populli është produkt i nivelit të lartë të jetesës dhe sigurisë për jetën. Në këtë drejtim, shqiptarët e thjeshtë kanë shumë arsye për të qenë shumë herë më pak të lumtur, sot edhe (në ndodhtë) pas anëtarësimit në NATO, edhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sepse, ata sot janë më të varfër se një vit më parë, janë të detyruar të paguajnë më shumë para se një vit më parë për t‘u ushqyer, për t‘u kuruar e për të përfituar shërbime të tjera, ndërsa paguhen po njësoj, ose fare pak më shumë.

Pa u hyrë llogarive të thella, që janë objekt i punës së ekspertëve të statistikave, ne na mjaftojnë disa të dhëna për të besuar dhe denoncuar rritjen e shkallës së varfërisë së njerëzve të thjeshtë. Në krahasim me gjashtë muaj më parë, çmimet e ushqimeve bazë janë rritur me 50%, çmimi i bukës është rritur gati 100%, çmimi i vajit edhe më shumë. Po kështu edhe orizi, sheqeri, mielli e të tjerë artikuj të domosdoshëm në shtëpitë e gjithkujt. Një rritje drastike ka pësuar çmimi i karburanteve, i cili brenda 5-6 thuajse është dyfishuar. Në shitoret e lagjeve, kudo në Shqipëri, janë shtuar ndjeshëm listat e njerëzve që blejnë bukë dhe ushqime pa para në dorë. Kudo shikon njerëz që blejnë edhe një çerek kilogram djathë e 200 gramë sallam. Këto janë argumente të mjaftueshme për të nxitur një reagim të fortë të qeverisë, për të ndikuar sa të mundë në treg, në një kohë kur tregtarët paralajmërojnë të tjera rritje çmimesh.

Në një vend ku nuk funksionon as bursa edhe as mekanizma të tjerë të kontrollit të ekonomisë, çmimet rriten në mënyrë spontane dhe të paargumentuar e mbi të gjitha pa asnjë lloj transparence. "Më solli mesazh në telefon pronari i fabrikës së miellit që u rrit çmimi", thoshte dy ditë më parë pronari i një furre buke, i cili nga ana e tij u dërgoi SMS shitësve të bukës, të cilët nuk i njoftuan përmes SMS-ve blerësit. Në një vend ku çmimet rriten me SMS, qeveria hiqet mënjanë, duke thënë se çmimet janë në dorë të ligjeve të ekonomisë së tregut dhe qeveria nuk mund të ndikojë me ligjet e saj. Duke iu referuar deklaratës së një eksperti ekonomie, mund të pyesim se përse atëherë është qeveria, kur biznesi ka ligjet e veta dhe ato janë të pandryshueshme? Përse njerëzit thërriten të votojnë një herë në katër vjet, apo për t‘u dhënë mundësinë sa më shumë politikanëve të bëhen ministra e deputetë?

Afërmendsh që deklaratat e Kryeministrit dhe ministrit të Financave janë tërësisht të papërgjegjshme. Qeveritë janë për të prodhuar mekanizma, përmes të cilave ato ndikojnë dhe kontrollojnë ligjet e tregut. Gjetkë, qeveritë janë duke punuar të ndikojnë edhe mbi ligjet e natyrës, që nuk i binden asnjë vullneti tjetër, veç atij të natyrës. Por situata ekonomike dhe gjendja në të cilën po detyrohet të jetojë pjesa dërrmuese e popullsisë ka kohë që nuk është më në axhendën e qeverisë sonë. E interesuar vetëm për makijazhin në sytë e Evropës, qeveria po kujdeset vetëm për reformat e "mëdha", ato që shkaktojnë rritjen e aksioneve politike në arenën ndërkombëtare, pra ato që prodhojnë urime diplomatike. Gjithnjë e më shumë qeverisë nuk po i intereson se çfarë ndodh me popullin e saj, por se çfarë mendojnë të tjerët për sjelljen e saj në rajon. Më shumë se situata ekonomike në vend, Kryeministrit dhe ministrave tanë u interesojnë përgëzimet që marrin kur dërgojnë ushtarë me misione jashtë vendit. Madje, në këtë kuadër, ministri ynë i Mbrojtjes kërkoi të dërgonte paqeruajtës edhe në Republikën afrikane të Çadit, e përfshirë së fundmi nga dhuna politike. Shqipëria, vendi me ushtrinë më të hallakatur dhe nivelin ekonomik më të dobët në Evropë, mund të ndodhë të bëhet anëtare e NATO-s, pasi të tjera interesa gjeopolitike konvergjojnë me ambiciet tona. Por ky status nuk do të jetë kurrsesi tregues i një standardi politik, demokratik, ushtarak e për më tepër ekonomik. Për këtë arsye, qeveria nuk duhet të ketë moral të krenohet, pasi ajo duhet të kthejë kokën pas e të shikojë se si jetojnë njerëzit në një vend anëtar të NATO-s apo kandidat për në NATO. Të shikojë njerëzit që janë lënë në mëshirën e ligjeve të tregut dhe tregtarëve mashtrues e të kuptojë që një qeveri nuk duhet të merret e tëra vetëm me punët e jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›