"Ua mami..."
Pranverë 1998. Shqipëria e atëhershme mediatike numëronte veç gazetave dhe disa iniciativa (po u themi kështu) audiovizuale, të konsideruara si dallëndyshet e para të erës së re që po shfaqej, paksa me vonesë në raport me shndërrimet e mëdha në rrafshet e tjera të jetës. Me një qasje të thjeshtë, pas 8 vitesh që kish rënë monopoli politik i PP-së, i kishte ardhur radha rënies së monopolit radioteleviziv (RTSH-së). Por nuk do të ndodhte ama si në politikë. E reja që do të zëvendësonte të vjetrën nuk do të barte reminishencat e kësaj të fundit. Por kjo nuk do të vinte menjëherë. Tre katër radiot e para ishin më tepër ca "jukebox", pa ndonjë cilësi audioje të veçantë dhe e vetmja tërheqje që provokonin ishte muzika pa hesap në transmetim. Dhe kjo ndodhte ose me kaseta, ose me të ashtuquajturat "tava" me disa CD. Për lajme profesionale apo për zëra profesionalë as që bëhej fjalë. Gjithçka kishte ndalur tek e kaluara. Ishte dhe një periudhë kur Shqipëria sa kishte nisur të mëkëmbej nga troshitja që i bëri vetes më ‘97-ën. Sakaq ishte dhe funddimri. Pranvera që po afrohej nuk ishte ajo e një viti më parë, por trishtimi ndër njerëz ishte akoma prezent. 14 shkurt 1998. Në 100 mgh/fm, dëgjohet "Top Albania Radio". Që prej asaj dite, ky konstelacion me tre fjalë do të hynte në historinë e Shqipërisë si një faqe e re e saj; e revolucionit mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga "Top Channel" e DigitAlb. Por të qëndrojmë te radioja. Shumë shpejt, nga nja radio ajo do të shndërrohej në fenomen, aq sa për banorin jo kryeqytetas, të shkoje në Tiranë do të thoshte të dëgjoje dhe "Top Albania Radion" për disa ditë apo për disa orë. Pa diskutim, kjo radio ishte një ndër evenimentet më të rëndësishme të 1998-ës për Shqipërinë, ndonëse një iniciativë private. Genc Shkodrani, një nga drejtuesit kryesorë të radios dhe një nga ish-njerëzit e parë të saj në ndërtim e më pas në mikrofon, thotë se transmetimet eksperimentale nisën që në janar të vitit 1998, ku transmetohej vetëm muzikë. Edhe transmetuesi i parë që mbulonte Tiranën dhe rrethinat e saj, u vendos pikërisht këtë muaj. Më pas, 14 shkurti, sipas asaj që kujton Shkodrani, ishte dita kur nisi transmetimi zyrtar dhe atë ditë, prezantuesja e parë Gerta Heta lançoi te dëgjuesi numrat e telefonit. Që atë ditë, shprehet Shkodrani, telefonat e "Top Albania Radios" nuk kanë pushuar asnjë çast, siç vazhdojnë të mos pushojnë sot e kësaj dite. Ndërsa emisioni i parë ka qenë një hit-parade me këngë dance të prezantuara nga Gerta dhe Genci (Shkodrani). Por vendosja e kontaktit telefonik me dëgjuesin solli nisjen e emisionit më tradicional të radios: "Një këngë për ty", që edhe sot ruan kuotat më të larta të dëgjueshmërisë. Ky emisionin, atë kohë, drejtohej nga prezantuesja e dytë në radio, Alketa Vejsiu, që më pas ia trashëgoi "ekskluzivitetin" e saj prezantueses së re, Xhealma Bega (Xhoi), e cila për një kohë të shkurtër eliminoi çdo diferencë mes saj dhe paraardhëses në potencën, ngjyrën e zërit dhe stilin e artikulimit, duke u bërë në vite dhe prezantuesja e rreth 14 programeve të tjera si: "Brand new", hit-parade anglez, amerikan, evropian, r‘n‘b, shqiptar, "Week‘s chart parade", "Top Albania Radio Weekend", "Summer time", "Lancio sms" etj. Sakaq, një zë femëror, që po ashtu u bë pjesë identifikuese e "Top Albania Radios", ishte ai i Arbana Osmanit, siç vazhdon të jetë edhe sot dhe jo vetëm në radio. Kur flitet për "identifikim", kihet parasysh që pothuajse e gjithë tradita e Top Medias ndërtohet, përvijohet mbi shumë risi e të veçanta origjinale. E njëra prej tyre është "identifikimi si identitet", që shprehet në cilësinë e zërit të folëses apo folësit, cilësinë e artikulimit, formimin e përgjithshëm profesional dhe atë specifik. Nga këto lloj standardesh ndodh që "Top Albania Radio" bën menjëherë diferencën dhe dallimin e qartë, pa qenë nevoja të kërkosh me patjetër 100 mhg. Në pistën e nginjur të FM-së, "Top Albanian" mund ta gjesh kollaj dhe pa këtë orientim bazë, siç është vala në eter. Folëm për zërat femërore, (së cilave iu bashkëngjitet ai i Rudina Menerit, apo së voni, Denada Dajlanit) e nuk duhet të harrojmë Eno Popin, një zë mashkullor që po ashtu është shndërruar në një ndër zërat identifikues të radios e Top Medias në përgjithësi.
DJ kanë qenë dhe mbeten pjesa tjetër e thelbit "ndryshe" dhe pakrahasueshmërisht të avancuar të "Top Albania Radios". DJ Aldo ka qenë i pari i radios, i dalluar për mjeshtërinë e miksimit së bashku me DJ Bendin e DJ Oltin. Ndër të parët DJ është dhe Indri, që sot është drejtues artistik i radios. Ky i fundit, thotë se viti që sapo iku shënoi disa rekorde të tjera të "Top Albania Radios", siç ishte instalimi i programit të dëgjimit online në internet, që sipas DJ Indri ka arritur në shifrën e paimagjinuar të 2000 userave në sekondë. DJ Indri thotë gjithashtu se në përgjithësi programacioni i radios është pasuruar me shumë emisione, rrjedhimisht me shumë informacion e me më shumë lidhje direkte me publikun. Kjo e ka bërë "Top Albanian" të jetë sot radioja më e kompletuar, pa njohur asnjë rënie në audiencë, duke llogaritur që shumë radio të tjera janë katandisur me programacion tërësisht të shpërbërë. Sipas sondazheve të ndryshme, "Top Albania Radio" zotëron 60 për qind të audiencës, ndërsa 40 për qind e përbëjnë të gjitha radiot e tjera të marra së bashku.
Sërish në histori. Genc Shkodrani tregon se potenca e kësaj radioje në fillimet e saj ishte aspekti teknik. Në çdo gjë, që nga mikseri dhe deri te mikrofoni, flitej vetëm me "fjalën e fundit", një traditë që vijon edhe sot. "Top Albania Radio" aplikoi për herë të parë dhe transmetimin me program kompjuterik, siç ishte "Etere-Player", që siç thotë Shkodrani, tashmë ka kaluar si program avangardë në transmetimet televizive. "Top Albania Radio", thotë ai, që në ‘99-ën ishte e para radio që nisi të blinte muzikë me të drejta transmetimi. Ndërkohë që nuk bëhet fjalë për diferencë kohore qoftë dhe në orë të hedhjes në transmetim të më të fundmeve hiteve, por që pastaj përcaktohet artistikisht se cila prej tyre do të ngrihet në statusin e hitit me preferencë masive. Ngritja më pas e post-produksionit të radios nga ana e Bojken Lakos dhe Fabian Asllanit, ishte arritja tjetër e madhe e radios, prej së cilës nisi prodhimi i xhinglave, siglave dhe i produkteve të tjera audio, me të cilat sot e kësaj dite furnizohen sektorë të tjera të Top Medias. Shkodrani kujton siglat e asaj kohe, të cilat u bënë pjesë e zhargonit popullor, që ende vazhdojnë të jenë të tilla, siç është "Ua mami, Top Albania", apo të tjera me batuta filmash. "Radiomania" u shndërrua ndër emisionet me dëgjueshmërinë më të madhe, por krahasimisht vetëm me simotrat e saj brenda radios. Me disa faza e zëra eksperimentues në fillim, me ardhjen e Saimir Kodrës, ai emision u konsolidua përfundimisht dhe arriti kuotat më të larta të dëgjueshmërisë për çdo kategori audience.
Këto ishin pak a shumë aspekte të veçanta të historisë së lindjes e ndërtimit të "Top Albania Radios". Edhe pse skeptrin e pushtetit mbi publikun e ka marrë televizioni (gjithsesi "vëllai i madh", "Top Channel"), "Top Albania Radio" vijon të "nusërojë" e sundojë në audiencën shqiptare. Aq më shumë tani, ku si zë startës të një dite ka atë të Adi Krastës me "Nee-Day"-in e tij. Por padyshim që është e madhe "Top Albania Radio", e ky shkrim nuk mund ta konkurrojë faqen e re në web që po ndërtohet, me të cilën do të prezantohet këto ditë.
Revolucioni në lajm
Lajmet e "Top Albania Radios" ishin pjesa që tregonte se ndërtimi i saj nuk ishte një trill momenti i dikujt. I vetmi aspekt jokomercial e që përmbledh të gjitha atributet e formimit gazetaresk, u bë shumë shpejt fytyra tjetër simpatike e radios brenda një portreti joshës në maksimum. Zamira Koleci, një gazetare tradite në Radio Tirana, ishte ajo që do të themelonte redaksinë e lajmeve në radio, me një format tërësisht të ri; me lajmin e shpejtë flesh; të shkurtër e ritmik. Fillimisht çdo dy orë, edicionet u bënë çdo një orë, duke e sjellë lajmin e fundit pa e përsëritur atë për të gjitha fushat, nga vendi e bota. Edhe në këtë pikë, "Top Albania Radio" realizoi një revolucion në historinë e servirjes së lajmit. Sot, në krye të redaksisë së lajmeve ndodhet Robert Prifti, një ndër të paktët redaktorë të lajmeve në radio që prej fillimeve të saj dhe bashkëpunëtor i afërt për shumë vite me mjeshtren Koleci. Prifti, i njohur dhe si mjeshtër i lajmit sportiv, pason Kolecin brenda një tradite unike, që njeh vetëm ngjitje dhe konsolidim.