Spektakolarizimi i nje tragjedie dhe profanizimi i dhembjes
Ne nuk dimë të sillemi përballë tragjedish e ngjarjesh të rënda. Në rrethana të tilla nxjerrim në shesh gjithë natyrën tonë shtinjake e hipokrite. Edhe kur ndiejmë njëmend dhembje (si zor të ketë pasur ndonjë shqiptar që të mos jetë tronditur e shock-uar prej tragjedisë së Farkës), ne bëjmë çmos ta theksojmë e ta spektakolarizojmë këtë dhembje, a thua se kapemi nga një ngasje e pakuptueshme për t‘i larguar reflektorët nga dhembja e për t‘i drejtuar gjetkë, te demonstrimi i saj, për të treguar me këtë se si ca e cave u këputet shpirti përballë kamerave e mikrofonave, a thua se ne të tjerëve duhet të na vijë keq për këta të fundit e jo për viktimat e vetë tragjedisë. Ishte si një garë mes tyre për të treguar se dhembja e njërit ishte më e madhe se sa dhembja e tjetrit. Epo, të dashur miq, kësaj nuk i thonë të ndiesh dhembje; kësaj i thonë të kapardisesh me dhembjen. Ky është kulmi i pacipësisë humane.
Dy ditë më parë pra, në mënyrën më të çuditshme e më bezdisëse, në fokus nuk ishte dhembja humane për tragjedinë, ku humbën jetën gjashtëmbëdhjetë vetë, mes të cilëve edhe fëmijë, por ishte spektakli i politikës e i politikanëve në një sfond të përzishëm, ku nuk merrej vesh se përse bashkë me lotët njerëzorë duhet të nakatoseshin makinat e zeza luksoze, bodyguard-ët, entourage-i fytyrëngrysur i ofiqarëve të lartë, vetëdija e këtyre të fundit se diku aty pranë kamerat janë duke xhiruar, e gatishmëria për të thënë se s‘bën diçka përballë atyre kamerave edhe në një ditë të tillë, kur çdo fjalë është e tepërt.
Kjo ndodh kudo - mund të thotë ndokush. Por jo, nuk është e vërtetë që ndodh kudo. Në fakt, nuk ndodh në asnjë vend, që politikanët të shkojnë për ngushëllim e të dërdëllisin përballë kamerave. Ajo që ndodh është krejt tjetër: politikanët shkojnë të ngushëllojnë, por kësaj vizite as ata e as mass-media nuk i japin asnjë përmasë spektakolare. Ata shkojnë për mort, bash ashtu si shkojnë gjithë të tjerët; me fjalë të tjera, hyjnë pa u ndjerë e plot përunjësi në shtëpinë e mortit, thonë ç‘kanë për të thënë, dalin gjithashtu pa u ndjerë dhe kaq. Nuk ka asnjë kuptim përsëritja e frazave ngushëlluese aty përjashta, përballë kamerave e gazetarëve, me maskën e dhembjes në fytyrë. Janë dhe gazetarët që e bëjnë të vetën këtë logjikë: ata thjesht regjistrojnë praninë e politikanëve dhe kaq.
* * * * *
Pardje politikanët tanë nuk u ndalën këtu. Ata, për ta tejtheksuar dhembjen e tyre e për ta humanizuar portretin e tyre të ndotur prej banditizmit e gangsterizmit të përditshëm, morën vendimin për ta shpallur datën 6 mars 2008 ditë të zisë kombëtare. Së pari, ky vendim është i diskutueshëm, pasi dita e zisë kombëtare është e udhës të motivohet jo vetëm nga përdëllimi human e nga përmasa e tragjedisë (në rastin tonë, edhe përmasa e tragjedisë ishte e rëndë, edhe përdëllimi ishte i zëshëm), por edhe nga rrethanat fatale apo jo të zakonta të saj (në vende të tjera, dita e zisë kombëtare është shpallur kur - larg qoftë herë të tjera! - një vrasës paranojak ka bërë një plojë në një shkollë, kur miniera është shembur e ka zënë nën vete minatorët, kur një cunami bën hatanë, kur një tërmet lë pas vetes rrënoja e viktima, kur një gomone klandestinësh mbytet në det të hapur etj). Së dyti, vendimi për të shpallur ditën e zisë kombëtare u mor vesh menjëherë se ishte një veprim shtinjakësh për të bërë efekt në publik, pasi ai vendim mbeti në letër. Asnjë qeveri a shtetar i huaj nuk dërgoi një telegram ngushëllimi. Jeta kombëtare, duke përjashtuar ndonjë flamur të ngritur në gjysmë shtize në ballkonin e ndonjë institucioni e duke përjashtuar shndërrimin në emisione funebre të talk-show-ve të llogaritura për të qenë politike, vijoi si më parë, me stacione televizive muzikore që transmetonin muzikë, me pub-e e disco që punuan si çdo ditë, me shkolla e universitete që nuk e ndalën aktivitetin, e me asnjë veprimtari mortore përkujtimore. Dhe askush nuk u merakos që ky vendim mbeti në letër.
Duhet thënë që protagonizmi bezdisës i politikës dhe i politikanëve në një ditë të tillë nuk lidhet vetëm e thjesht me ta. Madje, kam përshtypjen që shumicën e fajit e kemi ne të mass-media-s. Ne nuk është se mund t‘u heqim mikrofonat nga goja e nuk është se duhet të largohemi me të parë që ata po afrohen për të broçkollisur (deri këtu - e thashë edhe pak më sipër - është pacipësia e tyre), por ne duhet të kemi filtrin tonë. Shkurt hesapi, ne nuk jemi të detyruar të transmetojmë e përcjellim çdo gjë që thonë e bëjnë ata.
Pardje, ndërsa doja të informohesha mbi tragjedinë, shihja portretin e ministrit të Brendshëm, të ndjekur nga kamerat edhe kur ecte, edhe kur takonte të tjerë, edhe kur fliste; ndërroja kanal dhe shihja Kryeministrin, që zbriste nga makina; ndërroja sërish kanal e shihja Kryetaren e Kuvendit që kish zbarkuar me një shpurë të tërë, a thua se po nisej për një trip tjetër në shkretëtirat arabike; ndërroja kanal akoma e dëgjoja zërin e spikeres që thosh se kryetari i Partisë Socialiste e ka braktisur turin politik në veri të vendit e është duke u kthyer në Tiranë. Hidhesha më në fund te televizioni i Bollino-s, i cili shquhet deri në paturpësi për zellin voyeur-ist (pritni kur të gjejmë ndonjë ditë një kamerë të "News 24"-ës të varur në tavanin e dhomës së gjumit) dhe u befasova nga fakti që ata po transmetonin live gjithë atmosferën mortore. E përfytyroni dot, apo jo? Kishin çuar autobusin e xhirimit në një nga shtëpitë e viktimave dhe prej atje informonin kryesisht - mbi çfarë? - mbi ecejaket e politikanëve shqiptarë. Nga ky televizion mora vesh se vëllezërit emigrantë të njërës prej familjes së viktimave sapo kishin vënë këmbë në Rinas. Çfarë lajmi! Çfarë gazetarësh! E kishin lënë tragjedinë, ishin vënë në gjurmë të të afërmve të viktimave, me po atë këmbëngulje shtazarake që do të gjurmonin Paris Hilton-in dhe kishin arritur të merrnin vesh se dy vëllezër qyqarë ishin nisur e kishin mbërritur. Pyesja veten: kujt i lipset ky lajm? Pse vallë duhet të jepet? Pse u dashka paguar një gazetar që gjurmon lajme të tilla?
Edicionet informative të mbrëmjes shquheshin për të njëjtën frymë: në fokus ishin nga njëra anë politikanët, e nga ana tjetër gjurmimi hap pas hapi i dhembjes së familjarëve, i lotëve, psherëtimave, kujeve, gjesteve etj., etj. Le ta themi copë: spektakolarizimi i një tragjedie e fokusimi ekskluziv te politikanët në një rast të tillë është fyerje e publikut e profanizim i dhembjes njerëzore. Një dreq e merr vesh se pse informacioni mbi një tragjedi duhet të dominohet nga politikanët; një dreq e merr vesh se pse publiku duhet të dijë se ç‘ka thënë Topi, Topalli, Berisha, Rama, e pse transmetimi i thënieve e i ecejakeve të tyre duhet të zërë pjesën e luanit në korpusin informativ mbi tragjedinë.
Mund të thuhet, se "ata ishin aty, donin të flisnin, e kamerat nuk mund t‘i injorojnë". E vërteta është që në një situatë të tillë - e thashë edhe më sipër - kamerat mund e duhet të regjistrojnë praninë e tyre dhe kaq. Nëse kameramanët e gazetarët rendin pas tyre edhe në një tragjedi, me synimin për ta shitur si lajm çdo thënie e çdo lëvizje të tyre në një mort, kjo është për të vënë duart në kokë. Dhe në fakt, është për të vënë duart në kokë, pasi gati 50% e informacionit televiziv e gazetaresk mbi tragjedinë e Farkës kishte të bënte veç me politikën. Kush ka ndjekur lajmet e asaj dite apo kush ka lexuar gazetat të nesërmen, ka pasur rast të bindet për këtë. E jo vetëm të bindet. Por edhe të fyhet.