Operacion ndërkombëtar kundër trafikut të qenieve njerëzore: Shpëtohen 1200 viktima, 158 të arrestuar

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Gjatë një operacioni të gjerë ndërkombëtar, “Frontex, the European Border and Coast Guard Agency” shpëtuan rreth 1,200 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.
Ministria e Brendshme njoftoi sot se “rreth 15,000 oficerë nga 43 vende, mes tyre edhe nga Policia e Shtetit, u përfshinë në këtë aksion të mirë-koordinuar kundër një prej krimeve më shfrytëzuese në botë”.
“Pas këtyre shifrave fshihen histori të vërteta njerëzore – gra, fëmijë e burra nga 64 shtete, të detyruar për shfrytëzim seksual, veprimtari kriminale dhe lypje të detyruar”, njoftoi Ministria e brendshme.
Operacioni çoi në 158 arrestime dhe identifikimin e 205 të dyshuarve të tjerë. Autoritetet nisën 182 hetime të reja, duke përfshirë 15 raste ndërkufitare.
Kjo përpjekje globale, e koordinuar nga selia e Frontex në Varshavë, u përqendrua në rastet e shfrytëzimit seksual, kriminalitetit të detyruar dhe lypjes së detyruar. Frontex mbështeti partnerët e saj duke vendosur oficerë kufitarë, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe duke ndihmuar në zbulimin e shenjave të trafikimit, veçanërisht në kufijtë e jashtëm të Evropës.
/m.q//a.f/