Dy vëllezër në pranga për një seri vjedhjesh
Pas zbulimit dhe arrestimit të vjedhësit serial, Besnik Hasanaj, policia e Skraparit ka arritur të kapë edhe vëllain e tij, Dashnor Hasanaj, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal. Besnik dhe Dashnor Hasanaj respektivisht 40 dhe 35 vjeç, banorë të qytetit të Çorovodës, ishin vënë në mbikëqyrje nga agjentët e policisë që prej dy muajsh. Burime të Komisariatit të Policisë Skrapar kanë bërë me dije se vjedhjet e shumta dhe ankesat e qytetarëve bënë që ky problem të vihej në plan të parë, duke vendosur nën survejim elementët e skeduar. Gjatë këtij survejimi, policia ka veçuar njërin prej vëllezërve vjedhës, i cili nuk kishte qenë më parë kontingjent krimi. Ata kanë arritur tri ditë më parë ta kapin Besnik Hasanajn gjatë vjedhjes së një banese, në një lagje të qytetit të Çorovodës. Menjëherë pas marrjes së urdhrit nga prokuroria, në banesën e tij është kryer edhe një kontroll i befasishëm dhe policët kanë gjetur një sasi të madhe sendesh të vjedhura, si dhe një armë gjahu dhe një arkë me fishekë automatiku, çka ka bërë që më pas të kërkohen edhe bashkëpunëtorët e tij, duke arritur së fundmi te vëllai më i vogël, 35-vjeçari Dashnor Hasanaj. Policia tha se sendet e vjedhura që u gjetën në shtëpinë e Besnik Hasanajt kanë një vlerë prej 5 milionë lekësh. Pas sekuestrimit të këtyre sendeve, është bërë njoftimi i personave që kanë depozituar kallëzime për vjedhje.