E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalonin klandestinë në Greqi, kapen tri veta

Pas një bashkëpunimi të suksesshëm mes policisë kufitare shqiptare dhe asaj greke, është bërë e mundur që të zbulohet një grup trafikantësh të emigrantëve klandestinë dhe të arrestohen tre prej të implikuarve në këtë veprimtari kriminale. Dy prej trafikantëve të arrestuar fshiheshin brenda një grupi klandestinësh të kthyer në Kakavijë nga policia greke. Ngjarja ka nisur të dielën më 9 mars, rreth orës 19:00, kur nga ana e policisë së Gjirokastrës ka nisur një hetim brenda një grupi të deportuarish dhe pas identifikimit mes tyre të dy trafikantëve është bërë arrestimi i Marenglen Zelos, 24 vjeç, nga Divjaka e Lushnjës dhe Lorenc Muhametit, 19 vjeç, nga fshati Plesat i Gjirokastrës. Burime të policisë bëjnë të ditur se në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në këtë orë është kthyer nga pala greke një grup emigrantësh i përbërë nga 9 shtetas, ndërmjet tyre 4 gra, nga rrethe të ndryshme të vendit. Të gjithë klandestinët janë shoqëruar në komisariat, pasi si nga pala greke, ashtu edhe nga pala shqiptare, është dyshuar se midis tyre ndodheshin edhe personat që shoqëronin këtë grup klandestinësh. Pas identifikimit të tyre, policia ka arritur të identifikojë edhe dy shtetas të tjerë të implikuar në këtë grup, të cilët u shpallën në kërkim. Dje, rreth orës 08:00 është gjetur dhe arrestuar Behar Tafani, 41 vjeç, nga Divjaka e Lushnjës, i cili ka bërë transportin e emigrantëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›