E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Meta, plas lufta në bazën e PS

Telenovela "E majta, dashuri dhe urrejtje" i ka ofruar dje publikut seritë më të reja të saj. 250 anëtarë të selisë rozë, kryetarja e Komunës së Ndroqit dhe këshilltarët, kanë marrë teserat e partisë së Ilir Metës. Pas këtij veprimi, ky i fundit, konstatoi rënien e "Murit të Berlinit" brenda socialistëve dhe së majtës. Duke folur më tutje në emër të ribashkimit, i cili do arrijë që të mundë Berishën në vitin 2009 e do të shpëtojë Ramën nga kurthi i mazhorancës, kryetarja e Komunës së Ndroqit, Fatime Goga, u shpreh se po bashkohet me kolegët e tjerë socialistë me LSI-në, që është e majta e vërtetë dhe mbron interesat dhe vlerat e socialistëve shqiptarë. Sipas saj, këta 250 anëtarë që vijnë sot te LSI-ja, bashkohen me Kryeministrin më të suksesshëm që ka pasur Shqipëria që pas ‘90-ës, me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtën drejt fitores, me Ilir Metën. Sipas saj, në PS nuk funksionon më parimi "një anëtar - një votë", por është vetëm një slogan, sepse kur 179 anëtarë votojnë në Ndroq me votë të fshehtë dhe të monitoruar për një kandidat të preferuar, selia e PS-së vendos për një person tjetër që kishte marrë vetëm votën e një anëtari. Kreu i LSI-së, Meta, vlerësoi se koalicioni i ri synon që të rrëzojë një herë e mirë "Murin e Berlinit" të ngritur përmes intrigave dhe komploteve midis socialistëve dhe të majtëve dhe që t‘i bashkojë ata jo atje te zyrat e ish-Partisë Socialiste, ku kryetari i saj fton Ilir Metën që të kthehet te dyert e asaj partie. "Ilir Meta, Fatime Goga dhe të gjithë ju këtu, që jemi socialistë që nga viti 1991, e dimë shumë mirë që PS-ja nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë as si godinë dhe as si zyrë, por është investimi i sakrificave, i mundimeve të mëdha nga të gjithë ju", theksoi Meta. Sipas tij, në këto kushte, të gjithë të majtët, duhet ta kuptojnë që vendin dhe të ardhmen e tij, nuk duhet ta lëmë në këto duar të pasigurta. "Pas 97-ës, shumë njerëz u afruan me Partinë Socialiste, por një pjesë e mirë e tyre erdhën për të privatizuar sakrificat e shumta të bëra nga të gjithë ju dhe nga të gjithë ne, sepse së bashku e sollëm PS-në në pushtet", u shpreh Meta. Ai pranoi se "ka pritur me dashuri Edin, kur ai ka ardhur në ‘98 direkt ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe po bën 10 vjet, sepse edhe unë kam hyrë në të njëjtën ditë në qeverinë e atëhershme të zotit Nano". Rama, kujton Meta, e kishte për turp të thoshte se jam socialist, por thoshte se vinte për të kontribuar për Shqipërinë. "Pavarësisht nga ato deformime që kanë ndodhur, pavarësisht nga këto ndarje që kanë ndodhur dhe që në një kohë të dytë, do të sqarohen se kush e futi farën e përçarjeve dhe intrigave brenda së majtës", premtoi Meta. "Unë ju premtoj gatishmëri maksimale, vendosmëri maksimale dhe fitore në 2009-ën kundër Sali Berishës dhe rikthimin e së majtës së bashkuar në pushtet", tha Meta. Duke bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen jo vetëm këtu në Ndroq, por të bashkohen në të gjithë Shqipërinë, për këtë ndërmarrje të madhe për krijimin e Partisë Socialiste të vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›