E Hënë, 2 Nëntor 2026

Socialistët: "Ok" me OSBE-në. Të vegjëlit: është bashkëfajtore

Përfaqësia e OSBE-së në Tiranë është shndërruar në objekt të debatit mes partive parlamentare. Zëdhënësja e Kryesisë së socialistëve, Mimi Kodheli, përshëndeti dje deklarimet e fundit të ambasadorit Robert Bosch për reformën zgjedhore. Por aleatët e saj mendojnë ndryshe nga selia rozë, duke sulmuar ashpër misionin e akredituar në kryeqytetin shqiptar.

Debati

Partia Socialiste bashkohet me shqetësimin e prezencës së OSBE-së lidhur me nevojën urgjente për kryerjen e reformës zgjedhore. "Deklarata e ambasadorit Bosch, lidhur me të ashtuquajturat lista të hapura tregon qartë dhe pa asnjë ekuivok, se kundërshtimi ynë ndaj këtyre listave që kanë deformuar rregullisht vullnetin e zgjedhësve, është një kundërshtim parimor", vlerësoi Kodheli. Sipas saj kjo nuk është kurrsesi një manovër për të asgjësuar partitë e vogla, të cilat duhet ta kuptojnë se nuk është interesi i ngushtë i Partisë Socialiste, por interesi ynë i përbashkët që t‘i japim fund proceseve të turpshme zgjedhore. Sakaq, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se OSBE-ja është keqinformuar prej partive të mëdha. Sipas tij përfaqësia në Tiranë nuk duhet të bjerë pre e informacioneve të pavërteta që i jepen nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Sakaq më agresiv ishte kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Ai denoncoi ndryshimin e qëndrimit të ambasadorit të OSBE-së nga ai i para pak ditëve. "Në takimin që patëm me ambasadorin e OSBE-së, ai foli kundër sistemit spanjoll, ndërsa tani deklaron ndryshe", nënvizoi Milo. Sipas tij, OSBE-ja është bashkëfajtore në tolerimin e sistemit të Dushkut në zgjedhjet e shkuara bashkë me PS-në dhe PD-në. Partia Aleanca Demokratike vlerësoi se deklaratat e OSBE-së ishin një thirrje për dialog mes forcave politike në debatin për sistemin zgjedhor, dhe jo një mbështetje për dy partitë e mëdha. "Partitë e mëdha po keqinterpretojnë deklaratën e OSBE-së, e cila nuk favorizon partitë e mëdha, duke lënë mënjanë ato të vogla, por ajo është një thirrje për dialog në debatin për sistemin zgjedhor", tha Ceka. Sakaq ai shtoi se OSBE-ja bëri një propozim shumë racional për të diskutuar mbi sistemin proporcional të tipit gjerman, të propozuar nga partitë e tjera.

Deklarata

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch deklaroi para dy ditëve se politika shqiptare duhet të plotësojë katër pika për të konkretizuar sistemin e ri zgjedhor. "Transparencë, demokraci, jo ‘Dushk‘ dhe jo lista të hapura", ishte konstatimi i tij. OSBE-ja nuk ka preferencë për sistemin zgjedhor, atë duhet ta zgjedhin partitë. "Jemi të kënaqur që ka propozime të drejtpërdrejta. Partitë japin propozime të qarta. Koha në fakt është e shkurtër, vitin tjetër do të ketë zgjedhje, ndaj duhet të përfundojë sa më shpejtë procesi i reformës zgjedhore", theksoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›