E Diel, 1 Nëntor 2026

Maria Sharapova, "mbretëreshë" në Australi

Në momentin kur Maria Sharapova po dilte nga fusha pas finales në "Australian Open", ajo vazhdonte të mendonte për këshillën e një tjetër kampioni të tenisit. "Kampionët rrezikojnë dhe presioni është një privilegj", ishte sms-ja që i kishte dërguar Billi Zhan King, të cilin Sharapova e lexoi në mëngjes kur u zgjua nga gjumi. "Unë rrezikova", tha të shtunën rusja, pasi ka mposhtur 7-5, 6-3 serben Ana Ivanoviç, duke fituar titullin e tretë në një "Grand Slem". Sharapova, e cila nuk humbi asnjë set në shtatë ndeshjet e luajtura, ishte shumë e vendosur për të fituar, pasi vitin e kaluar në finalen e këtij turneu u dorëzua përpara Serena Uilliams. Ajo vazhdon të renditet e pesta në klasifikimin botëror për femra, por tashmë duket se është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në shpatull që ka vuajtur gjatë vitit 2007. Edhe pse nuk është dukur në formën e saj më të mirë (si në ndeshjet përballë Justin Hein dhe Jelena Jankoviç), siberianes i ka mjaftuar vetëm një orë e gjysmë për të mbyllur sfidën dhe nuk kishte asnjë dyshim që meritonte të fitonte. "Bëra gjithçka që duhej të bëja për ta fituar këtë ndeshje", vazhdoi Sharapova, duke të krijuar idenë se në këtë finale gjithçka ishte e thjeshtë. Nga ana tjetër, 20-vjeçarja Ivanoviç tashmë do të ngjitet në vendin e dytë në renditje. "Jam ende shumë e re dhe mendoj se do të kem shumë finale përpara meje, tha serbja. Kjo humbje më ka vrarë disi, por jam e sigurt se do të mësoj prej saj".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›