Sep Maier kritikon emërimin e Jurgen Klinsmani te Bajerni
Trajneri i portierëve te Bajerni i Mynihut, Sep Maier, ka kritikuar fuqishëm emërimin e Jurgen Klinsmanit në krye të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Arsyeja e dhënë prej ndihmësit aktual të Otmar Hitcfeld ka qenë se ish-trajneri i kombëtares gjermane nuk ka eksperiencë pune në nivel klubesh. 43-vjeçari Klinsman do të marrë drejtimin e skuadrës bavareze në qershor të këtij viti, periudhë kur Hitcfeld ka paralajmëruar se do të largohet, pasi sipas të gjitha gjasave do të marrë drejtimin e kombëtares së Zvicrës. Megjithatë, ish-portieri i përfaqësueses së Gjermanisë Perëndimore, tashmë në moshën 63-vjeçare, që e ka filluar karrierën pikërisht te Bajerni i Mynihut në vitin e largët 1965, ka deklaruar se mungesa totale e eksperiencës në nivel klubesh mund të kthehet në disfavor të Klinsmanit. Kjo edhe sepse presioni mbytës në futbollin gjerman është i njohur në mbarë botën. Bajerni shpenzoi 69 milionë euro në merkaton e verës për të blerë yje të klasit botëror si Frank Riberi, Luka Toni dhe Miroslav Klose dhe objektivi kryesor është fitimi i titullit në dy sezonet e ardhshme. "Nuk jam i kënaqur me faktin se ai (Klinsman) do të bëhet trajneri i ri i Bajernit", deklaroi Maier për revistën "Stern". "Askush në stafin teknik nuk e priste këtë zgjedhje të drejtuesve të klubit. Askush, përveç tyre, nuk mendonte se kjo do të ndodhte. Klinsman duhet ta ketë të qartë se të drejtosh një ekip kombëtar dhe një ekip klubi janë dy gjëra totalisht të ndryshme. Të drejtosh një klub është shumë e vështirë dhe mbi të gjitha kur bëhet fjalë për Bajernin e Mynihut. Komiteti ekzekutiv i klubit kupton shumë nga futbolli dhe aty ka disa persona që mund të japin opinione të forta. Ky mund të jetë vetëm një nga problemet me të cilat Klinsmanit do t‘i duhet të përballet kur të marrë drejtimin e skuadrës". Më tej Maier ka vazhduar: "Ai do të gjejë një mbështetje të jashtëzakonshme në skuadër dhe mendoj se kontingjenti nuk duhet të ndryshojë. Klinsmanit do t‘i duhet të përballet me disa lojtarë që kanë personalitet të fortë dhe mënyra se si menaxhohen situatat është shumë e rëndësishme. Presioni te Bajerni është i madh dhe të gjithë presin që të fitojmë titullin në çdo sezon".