E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pavarësia, në Tiranë starton me Bethovenin

Festa e shpalljes së Kosovës e pavarur do të nisë me muzikë klasike. Nuk dihet se e kujt ka qenë kjo ide, por nuk do të jetë folklori ai që do të shoqërojë orët e para të ngazëllimit kolektiv të kosovarëve e shqiptarëve në përgjithësi. Një koncert i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës në sallën "1 Tetori", në orën 19:00, çel dhe siparin e festimeve. Kjo orkestër do të luajë të famshmen simfoni Nr. 9 të Bethovenit, si dhe pjesët më të dëgjuara të kompozitorëve shqiptarë me tematikë patriotike. Me këtë formë prishet disi riti i festimeve me shfaqje folklorike, karakteristikë e kulturës dhe e dijes sonë populiste. Më pas, në orën 20:00, në sheshin kryesor të Prishtinës do të ketë një koncert të madh me këngëtarët më të njohur nga Kosova e Shqipëria. Dhe pikërisht në këtë koncert do të shpërfaqet dhe pjesa folklorike e festimeve, ku si fillim do të luhet vallja e pavarësisë, e përgatitur apostafat për këtë ditë historike. Nga ana tjetër, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet premierë drama e autorit Milazim Krasniqi, "Liria po vjen", edhe kjo e lënë qëllimisht për këtë ditë të madhe me përmasa historike. Në aktivitet të plotë do të jetë edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, ku do të ekspozohen materiale dhe artifakte që kanë të bëjnë me identitetin kulturor të rajonit, si dhe me zhvillimet historike. Një aspekt tjetër emocionues në gamën e aktiviteteve kulturore me rastin e shpalljes së pavarësisë është përurimi i një obelisku kushtuar këtij akti, që do të vendoset në Pallatin e Rinisë në orën 18:30. Obelisku, që ende nuk është bërë publik për sytë e njerëzve, thuhet se është një statujë gjigante, por vetëm kaq. Në finale të gjithë këtyre festimeve do të jetë një tortë gjigante në formën e hartës së Kosovës. Dhe ashtu si Prishtina, çdo qytet tjetër në Kosovë ka përgatitur një program të aktiviteteve kulturore për ditën e sotme, ku pritet shpallja e pavarësisë. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë sot, një seancë speciale, e hapur për publikun, mediat, të rinjtë, personalitet të artit dhe të kulturës, me qëllimin për të përcjellë drejtpërsëdrejti emocionet e shpalljes së pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›