Lika, sinjale për Han: Mund të bëj më shumë
Një nga emrat më të spikatur në fazën e parë të sezonit të Kategorisë Superiore është padyshim mesfushori shkodran, Gilman Lika. Futbollisti që aktivizohet në krahun e majtë të mesfushës si me Vllazninë, ashtu edhe me përfaqësuesen Shpresa, ka marrë tashmë një ftesë nga trajneri Ari Han për t‘u grumbulluar në zborin stërvitor që do të zhvillohet në Turqi. Për lojtarin, kjo është mundësia më e mirë për të treguar vlerat e tij, duke parë se është në formë të shkëlqyer. Ai e sheh veten një alternativë të vlefshme për përfaqësuesen kuqezi, por është në dorën e tij ta vërtetojë një gjë të tillë para trajnerit Han gjatë ditëve të stërvitjes në Turqi. "E kam thënë edhe më parë që një ftesë nga kombëtarja është ajo që ëndërrojnë të gjithë futbollistët, ndaj nuk kam si të mos jem i gëzuar për një gjë të tillë. Kam kaluar një pjesë të parë të mirë të sezonit, por jam i bindur se mund të jap më shumë, si për skuadrën e Vllaznisë, ashtu edhe për ekipet kombëtare. Këtë do të kem mundësinë t‘ia provoj trajnerit Han gjatë grumbullimit në Turqi, pasi dëshiroj që të jem një alternativë e vlefshme për kombëtaren shqiptare. Dua që të luaj shansin tim në këtë grumbullim, pasi aty nuk ka shumë lojtarë që aktivizohen në krahun e majtë të mesfushës, për të shpresuar që një ditë të vesh fanellën shqiptare. Objektivi im është që të aktivizohem sa më parë me kombëtaren dhe do të jap maksimumin derisa ta realizoj një gjë të tillë", u shpreh Lika. Lojtari shpreson që të përsëritë paraqitjet e mira edhe në pjesën e dytë të sezonit, ndonëse nuk është ende i sigurt nëse do të vazhdojë te Vllaznia apo në një skuadër jashtë Shqipërisë. "Unë dëshiroj që të luaj jashtë Shqipërisë dhe një gjë të tillë ua kam bërë të ditur edhe drejtuesve të Vllaznisë. Por tani për tani, mundësitë janë të vogla për realizimin e kësaj lëvizjeje që në merkaton e janarit, ndonëse nuk kanë munguar ofertat. Unë dëshiroj të provoj aftësitë e mia në një kampionat më cilësor, por aktualisht nuk është e mundur. Megjithatë, nuk mund ta them këtë përfundimisht, pasi gjërat mund të ndryshojnë nëse Vllaznia merr një ofertë interesante nga klubet që më kanë kërkuar", përfundoi Sukaj.