Starmer: Sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, sfida më urgjente

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer deklaroi sot se “Putin nuk e ka seriozisht paqen, Rusia po tërheq këmbët zvarrë dhe po luan lojëra, ndërkohë që Ukraina ka dëshmuar se është palë në këto bisedime për paqen”.
Në fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Europian, Starmer tha se “ky takim është moment thelbësor për kontinentin tonë e kjo është pasqyruar në komentet e të gjithëve deri tani”.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Starmer tha se “më la mbresë fjala juaj se jemi në një epokë të re e themi të gjithë, është një epokë e re, por është një epokë që karakterizohet nga luhatja, paqëndrueshmëria, është e trishtë, por kjo është epoka e re ku kemi hyrë”.
“Mundësia që udhëheqësit europianë të mblidhen së bashku me secilin prej nesh që përballet me sfida të sigurisë dhe ekonomisë janë vlera të KPE që nuk mund të jetë më qartë se kaq”, tha Starmer.
Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Starmer tha se “sfida më urgjente këtu është sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
“Natyrisht ne duhet të bëjmë më shumë për mbrojtjen tonë. Javën e kaluar shpalla një paketë tjetër sanksionesh për flotën hije ruse, në mënyrë që të mbrojmë strukturën tonë nga flota e Putinit. Në fakt gjatë muajve të fundit kemi punuar fort që të sjellim tek koalicioni ynë i të vullnetshmëve shumë liderë politikë e ushtarake dhe së bashku me kancelarin Friedrich me Donald Trump, bashkë me Macron e kemi bërë këtë gjë jo vetëm si solidaritet. Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e bëmë si një kujtesë pikërisht për të njëjtat vlera për të cilat ne luftojmë për të ardhmen. Një moment i rëndësishëm për Ukrainën dhe për të bërë bashkë dhe për të garantuar argumentin e mbështetur nga presidenti Trump për një armëpushim të pakushtëzuar. Putin duhet të vijë në tryezë për ta diskutuar këtë gjë”, tha Starmer.
“Tani që kemi nxjerrë këtë ultimatum, duhet që të jemi të përgatitur për ta ndjekur deri në fund, sepse nëse Rusia nuk është e gatshme që të ulet në këtë tryezë, Putin duhet të paguajë çmimin. Ajo që ndodhi dje dhe e përmenda është një provë e mëtejshme që Putin nuk e ka seriozisht paqen, Rusia po tërheq këmbët zvarrë dhe po luan lojëra, ndërkohë që Ukraina ka dëshmuar se është palë në këto bisedime për paqen”, tha Keir Starmer.
Më tej Starmer tha se “kam kënaqësinë që të jem kryeministri i parë britanik që zhvillon një vizitë dypalëshe në Shqipëri dhe të punoj me ju si partnerët tanë. Kam kënaqësi që të mirëpres Antonion në Londër për samitin e parë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, një moment që në fakt ka të bëjë me njohjen e faktin se shumë sfida me të cilat përballemi. Rritja, emigracioni dhe siguria janë sfida që i ndajmë së bashku dhe vetëm zgjidhje të përbashkëta do t’i trajtojmë”.
/k.s/j.p/